PRISHTINË, 19 Shkurt /ATSH/.-Ministri kosovar i Bujqësisë, Pyjeve dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, u nis sot për në Paris, ku me ftesë të ministrit francez të Bujqësisë, Industrisë Ushqimore dhe Pyjeve, Stéphane Le Foll, do të marrë pjesë në edicionin e 52-të të Sallonit Ndërkombëtar të Bujqësisë.
Në kuadër të Sallonit, Ministri Krasniqi do të marrë pjesë në konferencën e ministrave të ftuar, ku do të flitet për bujqësinë përballë kushteve klimatike, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit mes vendeve të botës rreth kësaj çështje. Gjithashtu ministri Krasniqi do të jetë prezent në hapjen e panairit të Sallonit, ku do të prezantohet bujqësia dhe blegtoria franceze.
Ministri Krasniqi gjithashtu do të zhvillojë takime me homologë të tij nga vende të ndryshme, për të diskutuar me ta për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen.
Në këtë ngjarje të rëndësishme për bujqësinë do të marrin pjesë edhe ministra nga vende të ndryshme të Evropës dhe vendeve të tjera, si dhe personalitete e institucione të rëndësishme të fushave të bujqësisë, ushqimit dhe pyjeve./b.j/k.s/