PRISHTINË, 5 Shkurt/ATSH/.- Policia e Ferizaj njoftoi të enjten se për shkak të shembjes së madhe të dheut dhe të gurëve në rrugë, është bllokuar tërësisht qarkullimi në rrugën Kaçanik- Hani i Elezit, në të dyja drejtimet.
Zëdhënësi rajonal i policisë, togeri Agim Gashi, bëri të ditur për KosovaPress se shembja e dheut dhe e gurëve, ka ndodhur në vendin e quajtur, "Te Kulla me çeshme", ndërmjet Kaçanikut dhe Hanit të Elezit.
Sipas tij, në vendin e ngjarjes, tashmë ndodhen njësitë policore të trafikut, si dhe kompania që po punon për zhbllokimin e rrugës.
Mësohet se për drejtuesit e mjeteve që duan të shkojnë në Maqedoni, patrullat policore ndodhen në "Fushën e Pajtimit", të cilat janë duke i orientuar shoferët për të marrë drejtimin e pikës kufitare drejt Glloboçicës./KosovaPress/k.s/










