Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë  në ceremoninë e shënimit të shtatë vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Në cerominë e organizuar me rastin e shtatë vjetorit të Kushtetutës së Kosovës merrnin pjesë përsonalitete të larta të Kosovës si, Presidentja e Kosovës,  Atifete Jahjaga, Ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, përfaqësues të pushtetit lokal, Ambasadorë dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë, të akredituar në Kosovë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa  në fjalën e tij u shpreh se "Liria, Pavarësia dhe Demokracia ishin fjalët që më së shpeshti u përsëriten në vitet e fundshekullit të kaluar që e lamë pas. Të gjitha këto u kurorëzuan me vepër madhore vetflijuese të shumë brezave e gjeneratave, njerëzve të ditur dhe trimave të këtij vendi.Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e shpallur shtatë vite më parë si akti më i lartë juridik që kurorëzoi pavarësinë tonë. Por, edhe si akt politik i cili flet për përgjegjësinë tonë për ta ndërtuar një vend të lirë, demokratik, të zhvilluar dhe të integruar në Bashkimin Evropian. Është poashtu përkushtimi ynë për politika të miqësisë së përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me të gjithë ata që e ndihmuan lirinë dhe pavarësinë tone".
"Ne, do të dëshironim që sot së bashku me ne këtu të ishin edhe njerëzit tanë, që u flijuan për këtë vepër të madhe, për ditën e madhe të shpalljes së Kushtetutës. Sepse një vepër e madhe, e këtillë siç është shpallja e Kushtetutës nuk lind dhe nuk krijohet për një ditë dhe në një ditë, as për një vit, por është një sublimim i heroizmit dhe mosnënshtrimit që tregoi populli ynë për vite dhe shekuj", tha Mustafa./atsh/