Kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pas përplasjes së protestuesve me efektivët e Policisë, pasi këta të fundit shoqëruan Edison Likën dhe Dritan Goxhajn. Të dy refuzuan t’iu vinin bluve në dispozicion dokumentet e identifikimit për plotësimin e gjobës.

Bardhi thotë se vendosja e gjobave po bëhet në kundërshtim me ligjin dhe u kërkon ndërkombëtarëve të reagojnë. Ai thekson se e drejta për protestë duhet të garantohet dhe jo të ndëshkohet.

"Dënoj me forcë pengimin që Policia e Shtetit po i bën qytetarëve që në mënyrë paqësore po ushtrojnë të drejtën e tyre të protestës. E drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një e drejtë themelore, e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare. Ajo nuk mund të cenohet, të intimidohet apo të shuhet përmes dhunës policore, shoqërimeve të paligjshme në komisariate apo vendosjes së gjobave në kundërshtim me ligjin. Çdo përpjekje për të penguar qytetarët në ushtrimin e kësaj të drejte përbën një cenim të papranueshëm të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

I bëj thirrje Policisë së Shtetit të ndalë menjëherë çdo praktikë të tillë dhe të përmbushë detyrimin e saj ligjor për të garantuar ushtrimin e lirë dhe paqësor të së drejtës për protestë dhe tubim për çdo qytetar. Policia nuk duhet të jetë instrument presioni apo intimidimi ndaj qytetarëve që ushtrojnë një të drejtë kushtetuese. Çdo shkelje, çdo pengim i paligjshëm dhe çdo akt dhune ndaj protestuesve duhet të hetohet dhe të mbajë përgjegjësi përpara ligjit.

Njëkohësisht, i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe partnerëve të Shqipërisë që të mbajnë një qëndrim të qartë dhe publik ndaj këtyre praktikave, të cilat bien ndesh me standardet demokratike dhe angazhimet ndërkombëtare që Shqipëria ka marrë përsipër të respektojë. Mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore nuk mund të jetë çështje e interesave politike apo e rrethanave të momentit.

Heshtja përballë cenimit të lirive themelore nuk është neutralitet. Ajo rrezikon të kthehet në mbështetje të heshtur për abuzimin me pushtetin. Në një demokraci, zëri i qytetarit nuk shuhet me dhunë, nuk frikësohet me gjoba dhe nuk ndalet me shoqërime policore. E drejta për të protestuar duhet të garantohet, jo të ndëshkohet", shkruan Gazment Bardhi. 


Lajmi kryesor:

Tensione në protestë/ Protestuesit kundërshtojnë shoqërimin e Edison Likës dhe Dritan Goxhajt, rrethojnë furgonin dhe përplasen fizikisht me policinë (VIDEO)