PRISHTINË,  13 Qershor /ATSH/.-Në Prishtinë, javën e ardhshme, mbahet Samiti i Kosovës mbi të Drejtën Ndërkombëtare dhe të Drejtat e Njeriut 2015.
Gjykata Supreme e Kosovës dhe Instituti për Diplomaci Kulturore, të mbështetur nga UNDP, do të organizojnë "Samitin e Kosovës mbi të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut 2015?, më 15 dhe 16 qershor. Ditën e parë ngjarja do të zhvillohet në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ndërsa e dyta në ndërtesën e qeverisë -Pallati Rilindja.
"Samiti, që do të sjellë së bashku ligjvënësit, përfaqësues të gjyqësorit, përfaqësues të institucioneve të qeverisjes globale, si dhe palët e interesuara nga e gjithë bota, pritet të shqyrtojë zhvillimin e të drejtës ndërkombëtare në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në dekadat e fundit dhe të dalë me rekomandime për përdorim në të ardhmen", thekson njoftimi dërguar nga UNDP./b.j/k.s/