/ATSH-B.Jashari/.-Kuvendi i Kosovës këtë javë mblidhet të enjten në ditën e katërt të seancës plenare të nisur të mërkurën e kaluar me 32 pika në axhendë, ndërsa të premtën dhe të hënën zhvillon seanca të reja.

Të premtën do bëhet shqyrtimi i tre projektligjeve - për mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri, për shërbimin mjekësor emergjent dhe për shëndetin mendor.

Do të procedohet gjithashtu, propozimi i Grupit Parlamentar të Listës serbe për emërimin e nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe propozimi i po këtij grupi, për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.

Në seancën e të hënës do të shqyrtohen në parim gjashtë projektligje, pjesë e pakos së projektligjeve në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave. Deputetët do të shqyrtojnë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për gjykatat, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Prokurorin e Shtetit, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përgjimin e telekomunikimeve dhe Projektligjin për kompensimin e viktimave të krimit.

Axhenda e seancave u vendos sot nga Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryeparlamentari Kadri Veseli.

Po ashtu, Kryesia vendosi që në 2 korrik, Kuvendi të mbajë seancë solemne për shënimin e 25 vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990.

Po ashtu, Kryesia u njoftua me dorëheqjen e nënkryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jasmina Zhivkovic (e Listës Serbe), si dhe me shkresën e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me Buxhetin e katër komunave veriore të Kosovës për vitin 2015.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia, njëzëri i vazhdoi kontratën e punës sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, për periudhën pasuese trevjeçare.