PRISHTINË, 12 Shkurt /ATSH-B.Jashari/.- Kuvendi i Kosovës në fillimin e seancës së sotme me shumicë votash e renditi në axhendë si pikë të katërt "Informimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, për takimin e zhvilluar me kryeministrin e Serbisë Aleksandar Vuçiç".
Këtë e konstatoi pas votimit kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili po udhëheq seancën. Opozita kërkon që në Kuvend të sillet edhe marrëveshja e nënshkruar që ta kenë deputetët para debatit.
"Natyrisht që raportimi duhet të bëhet, si të vendosë seanca, mirëpo është e domosdoshme që ta kemi marrëveshjen e nënshkruar, para se të nisë dikutimi. Sepse, tani po flasim për një dokument, i cili është nënshkruar në Bruksel dhe si i tillë duhet të dikutohet në Kuvend e jo vetëm fjala e kryeministrit", tha deputeti Visar Ymeri i Lëvizjes Vetëvendosje.
Në axhendë është edhe Propozim-programi i punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2015, hartuar në bazë të programit legjislativ të qeverisë, si dhe shqyrtimi i parë i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike.
Axhenda nisi me "koha për deklarime jashtë rendit të ditës" dhe "koha për pyetje parlamentare".
Seanca parlamentare ka nisur më shumë se një orë para fillimit të mbledhjes së qeverisë së Kosovës. Kryeministri Isa Mustafa pritet të vijë në Kuvend dhe të njoftojë lidhur me takimin në Bruksel me kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ku në orët e para të ditës së martë në raundin e 24-të të takimeve të nivelit të lartë, të ndërmjetësuara nga BE-ja, përfunduan dhe firmosën marrëveshjen për drejtësinë në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve.
"Opozita do ta kundërshtojë marrëveshjen, në Kuvend dhe jashtë tij", thekson sot shtypi kosovar./k.s/











