PRISHTINË, 29 Dhjetor /ATSH/.- Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbajti sot mbledhjen e dytë brenda ditës, në të cilën shqyrtoi raportet me rekomandime të komisioneve kryesore lidhur me Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, ndërkohë që pritet të vazhdojë seanca plenare e nisur paradite. "Pasi u konstatua se nuk ka amendamente shtesë, komisioni e procedoi projektligjin, me raportin me amendamente, për shqyrtim të dytë në mbledhje plenare", theksojnë burimet zyrtare të Kuvendit.
Në seancën plenare të Kuvendit sot e vetmja pikë e rendit të ditës është "shqyrtimi i dytë i Projektligjit për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015". Miratimi në parim i Projektligjit u bë të hënën e para një jave, në 22 dhjetor, me 73 vota pro, 22 kundër dhe asnjë abstenim, derisa në Kuvendin 120 nëtarësh në sallë ishin të pranishëm 95 deputetë.
Buxheti i Kosovës 2015 me të hyra të planifikuara 1 miliard e 576 milionë euro, me një rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin 2014, pritet të miratohet përfundimisht në vazhdim të seancen plenare të Kuvendit. Në mbledhjen e parë sot, Komisioni për Buxhet dhe Financa bëri disa plotësime në tekstin e projektligjit dhe raportin me amendamente e procedoi për shqyrtim në komisionet e tjera kryesore të Kuvendit./b.j//a.ke/










