PRISHTINË, 25 Nëntor /ATSH-B.Jashari/- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, për t'u njoftuar me përgatitjet për formimin e institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, respektivisht konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe krijimin e qeverisë së re.
Sipas njoftimit të sapodërguar ATSH-së, Presidentja Jahjaga u njoftua me ecurinë e bisedimeve mes dy partive politike në harmonizimin e programit qeveritar dhe konsolidimin e prioriteteve shtetërore dhe i inkurajoi liderët e dy subjekteve politike që kanë arritur pajtueshmëri ndërpartiake për bashkëqeverisje javën e kaluar që përbrenda këtij muaji të krijojnë institucionet relevante për të kompensuar kohën e humbur në përmbushjen e obligimeve institucionale ndaj qytetarëve të Kosovës.
Kryetari i PDK-së, Thaçi dhe ai i LDK-së, Mustafa, e njoftuan Presidenten Jahjaga që subjektet e tyre politike dhe grupet punuese për harmonizimin e koalicionit bashkëqeverisës do të jenë të gatshme të ftojnë seancën e Kuvendit të Kosovës për t'i zgjedhur organet e këtij institucioni dhe votuar Qeverinë dhe programin e saj qeveritar më 8 dhjetor 2014, përfundon njoftimi.
Grupet e punes të PDK-së dhe LDK-së takohen intensivisht për finalizimin e marrëveshjes për koalicionin dhe harmonizimin e programit të ardhshëm qeverisës, pas pajtimit në parim të liderëve në mbrëmjen e 19 nëntorit. Ndërsa deklarata e përbashkët PDK-LDK pas takimit të dytë Thaçi-Mustafa në mbrëmjen e të dielës së 23 nëntorit, paralajmëronte se "brenda javës do të saktësohet edhe data e vazhdimit të seancës për zgjedhjen e organeve udhëheqëse të Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë"./a.ke/










