PRISHTINE, 17 nentor/ATSH/. - Komiteti Drejtues Ndërministror po merret me rekomandimet e ekspertëve, si dhe raportin e vlerësimit që rrjedh nga propozimi i dorëzuar për projektim, ndërtim, financim dhe operim të Projektit Zhvillimor të Qendrës Turistike të Brezovicës (PZHQTB), ben te ditur KosovaPress.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, sipas një komunikate nga kjo ministri, ka thënë se ky projekt që ka filluar punën para dy vitesh, ka pasur një proces të vështirë që të arrihet deri këtu. Ai beri te ditur se tashmë projekti ndodhet në fazën kur ekspertët e USAID-it, të cilët i ka falënderuar posaçërisht për punën që kanë bërë, po bëjnë një evaluim të shkëlqyeshëm të gjithë këtij procesi të ofertës të cilën e ka ofruar konsorciumi që ka konkurruar për projektin e Brozovicës. "Brezovica është një aset i rëndësishëm për Kosovën dhe Qeveria e Kosovës kur e ka shpallur me prioritet të veçantë ka patur disa arsye. E para, që të arrijë të tërheqë investitorë seriozë që të vijnë në Kosovë, se dyti, të këtë një impakt të lartë të zhvillimit ekonomik, jo vetëm të asaj zone por të gjithë Kosovës dhe së treti, ta kemi një resort turistik që të krenohemi, jo vetëm Kosova por edhe më gjerë", tha Mulaj në fjalën e tij.
Ai beri te ditur se ky është projekti më i madh i Kosovës që nga paslufta për shkak se bëhet fjalë për 410 milionë euro. /a.ke/