Më në fund në Kosovë, ka përfunduar procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura një muaj më parë. Koha e gjatë e numërimit tejkalon edhe kohën e numërimit të votave në zgjedhjet parlamentare apo ato lokale në Shqipëri. Sipas Kominsioni Qëndror të Zgjedhjeve, vonesat kanë ardhur për shkak të ankesave të shumta të subjekteve politike.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka lënë të hapur mundësinë që sot të shpallen rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve, të cilat e nxorën fituese lëvizjen Vetëvendosje ndërsa ende mbetet i paqartë nëse koalicioni i Nismës Socialdmeokrate me Aleancën Kosova e re, kanë arritur të kalojnë pragun zgjedhor prej pesë për qindësh.
Zyrtarë të këtij komisioni thanë se në përputhje me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme do të presin ankesat e mundshme të subjekteve politike para se të shpallen rezultatet përfundimtare.
“Nëse nuk ka ankesa, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mundet që gjatë ditës së nesërme, e enjte, të shpall rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të datës së gjashtë tetorit. Duhet ta themi që me shpalljen e rezultatit përfundimtar nuk përfundon procesi zgjedhor pasi që subjektet politike dhe kandidatët kanë afat 24 orë të paraqesin ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe pastaj ky institucion ka 72 orë kohë për të vendosur lidhur me këto ankesa”, tha Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Rezultatet ende paraprake e nxorën fituese të zgjedhjeve lëvizjen Vetëvendosje e cila pritet të ketë 32 deputetë në parlamentin e ardhshëm të Kosovës, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 29 deputetë, pastaj Partia Demokratike me 25 deputetë dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate me 14 deputetë.
Por, këta numra mund të ndryshojnë në qoftë se koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë e kalon pragun zgjedhor prej pesë për qind. Ky koalicion nëpërmjet një njoftimi tha se “tashmë do të jetë pjesë e parlamentit të Kosovës” duke pretenduar që ka fituar 5.02 për qind të votave.
Kjo çështje do të dihet pas publikimit të rezultateve përfundimtare nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet e kandidatëve që do të jenë deputetë të ardhshëm të Kuvendit të Kosovës.
Në faqen zyrtare të KQZ-së janë publikuar emrat dhe numri i votave që ka marrë secili kandidat për deputet.
Lëvizja Vetëvendosja e Albin Kurtit ka marrë 32 deputetë, ndërsa LDK-ja që pati për kandidate Vjosa Osmanin ka marrë 29 deputetë.
PDK – 178 mijë e 645 vota apo 21, 163 %.
AAK-PSD – 96 mijë e 883 vota apo 11, 477 %
Nisma – 42 mijë e 72 vota apo 4,984 %
Nisma Socialdemokrate me AKR-në e PD-në, mbetet përfundimisht janë Kuvendit të Kosovës.
Prej ditësh përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK kanë nisur bisedimet në rang ekspertësh për të hedhur piketat e para të qeverisë së re që parashikohet të dalë nga koalicioni i mundshëm mes tyre. Diskutimet janë përqëndruar në çështje teknike dhe jo në emra të përveçëm që do të jenë në krye të ministrive. Emrin e atij që do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës pritet të vendoset në bisedat e rangut të lartë, mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës. Ky i fundit nga ana e tij para disa ditësh deklaroi se me Vetëvendosjen nuk kanë diskutuar rreth ndarjes së ministrive dhe as për emrin e Kryeministrit.
“Nuk kemi biseduar me Vetëvendosjen, unë kam parë deklarata të ndryshme, shkrime të ndryshme se cila ministri duhet t’i takojë cilës parti, por këto janë më tepër çështje dëshirash, sepse duhet të ulemi dhe të mendojmë se duhet ta marrim përgjegjësinë proporcionale dhe nuk do ta parapëlqej një orientim që një parti ta merr një fushë të caktuar dhe partia tjetër fushën e caktuar sepse atëherë bëhen dy qeveri brenda një qeverie. Kësaj sa i përket se kush sa ka kërkuar, nuk kemi të vërteta sepse unë nuk kam kërkuar asnjë ministri nga VV e as VV nuk ka kërkuar”, tha Mustafa.
Më parë, kandidatja për kryeministre nga LDK pati deklaruar se emri i kryeministrit i takon ta caktojë forca politike që do të sigurojë më shumë mandate pas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve.