Mitrovicë - Një granatë dore është hedhur në pjesën veriore të vendit, në afërsi të Liqenit të Ujmanit në Kosovë. Sipas policisë së Kosovës shpërthimi ka ndodhur rreth orës 14:30 të së dielës (21 korrik 2024) në vendin e quajtur “Te tuneli i pestë”. Fatmirësisht nuk ka njerëz të dëmtuar por vetëm dy makina, njëra me targa të Kosovës e tjera amerikane.
Sipas informatave të Policisë së Kosovës, sot rreth orës 14:30 në vendin e quajtur “Te tuneli i pestë”, në rrugën magjistrale te liqeni i Ujmanit, nga një apo më shumë persona të panjohur është hedhur një granatë dore me ç’rast dy vetura të parkuara, njëra me targa vendore dhe tjetra me targa amerikane, janë dëmtuar. Njësitë policore relevante janë në vend të ngjarjes dhe po hetojnë rastin.
Paraditen e të dielës buzë liqenit janë parë qytetarë duke u relaksuar, pas temperaturave të larta, gati 40 gradë Celsius.
Reagon Kurti
Në një postim në facebook kryeministri Albin Kurti e lidh shpërthimin me Serbinë e qarqet e caktuara mike me të, të cilave nuk iu levërdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë.
"Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu levërdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë. Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervoza u bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhur me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës. Kjo është e dhimbshme për ta dhe vështirë e pranueshme' ka thënë Kurti, përmes një postimi në Facebook.
Ai u zotua më tej për sundim dhe rend publik në gjithë Kosovën.
"Por, rrugë tjetër nuk ka. Sundimi i ligjit dhe rendi publik, siguria dhe paqja, janë vlera themeltare dhe interes i përbashkët i shoqërisë dhe qytetarëve bashkë me shtetin e Kosovës. Patjetër që institucionet e sigurisë, marrë për bazë profesionalizmin bashkëkohor dhe vullnetin e palëkundur, do të zbulojnë aktorin apo aktorët e këtij sulmi kriminal dhe do t’i sjellin para drejtësisë. Kjo pjesë, ashtu si të gjitha tjerat të vendit tonë, me potencialin dhe bukuritë e saj do të përdoret nga të gjithë qytetarët pa dallim" shkruan Kurti.
Liqeni i Ujmanit konsiderohet pikë strategjike vitale për Kosovën, pasi pos tjerash, aktualisht furnizon me ujë, një zonë me mbi 500 mijë kosovarë. Nga Ujmani furnizohen me ujë shtatë komuna, në jug dhe veri të lumit Ibër; Mitrovica e Jugut dhe e Veriut, Zveçani, Vushtrria, Gllogoci, Skenderaj dhe një pjesë e Prishtinës.
Pos tyre, termocentralet Kosova A dhe B, Trepça dhe Ferronikeli varen tërësisht nga furnizimi me ujë nga ky liqe artificial. Po ashtu, prodhohen edhe 32 Megavat (MË) rrymë në hidrocentralin e Vallaçit.
Lumi Ibër, që e mbush me ujë Ujmanin, buron në Mal të Zi, më pas kalon nëpër territorin e Serbisë, hyn në Kosovë me një gjatësi të shtratit prej 82 km, dhe prapë kthehet në Serbi.
Publikohen pamje nga momenti i shpërthimit në liqenin e Ujmanit në Kosovës, ndodhur paraditen e sotme.
Siç shihet nga video e publikuar nga Klan Kosova, disa persona po laheshin në liqen, teksa po filmonin kur u dëgjua një shpërthim i fuqishëm.
Deri më tani nga ky shpërthim janë dëmtuar dy makina, ndërsa po zbardhen rrethanat e ngjarjes.