PRISHTINË, 3 Shkurt /ATSH-B.Jashari/.- Me qëllim të informimit të opinionit publik lidhur me protestën/demonstratën e paparalajmëruar, siç parashihet me Ligjin mbi tubimet publike, e cila pritet të mbahet nesër në orën 12:00 në Prishtinë, Policia e Kosovës me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, duke hartuar planin operativ për menaxhimin e protestës, i cili ka për qëllim mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas protestës.
"Vlen të theksohet se edhe përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të PK-së, për të kontaktuar me organizatorët e kësaj proteste, për të diskutuar rreth mbarëvajtjes së qetë të kësaj proteste, qe është qëllimi primar i Policisë së Kosovës, një gjë e tillë nuk ka ndodhur për shkak të mos përgjigjes deri më tani nga ana e organizatorëve", thuhet në komunikatën e sapodërguar sot pasdite.
Policia e Kosovës thekson se si institucion i zbatimit të ligjit do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe planit të hartuar, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, për mbarëvajtjen e protestës si dhe krijimin e mundësisë së lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve.
"Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime, në perputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi", thuhet në komunikatë. Ndërsa, shtohet se "bazuar në informacionet policore dhe vlerësimet e bëra të protestave të mëhershme, protesta e nesërme pritet të jetë e dhunshme, ku në mesin e protestuesve mund të ketë edhe persona të armatosur, të cilët kanë për qëllim destabilizimin e situatës dhe shkaktimin e incidenteve, qoftë ndaj zyrtarëve policorë apo edhe ndaj vetë protestuesve".
"Për këtë arsye, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprim i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe tek zyrtarët policorë, të cilët kujdesen për rend dhe siguri publike. Policia e Kosovës siguron se "do të jetë profesionale, në respektimin dhe zbatimin e ligjit, çdo herë duke respektuar të drejtat e qytetarëve si dhe çdo herë duke treguar sjellje profesionale gjatë realizimit të detyrave policore". /a.ke/






