PRISHTINË,  1 Tetor /ATSH-B.Jashari/.-Nën drejtimin e Kryeministrit Hashim Thaçi, qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e rregull, sot pasdite, ka miratuar dokumente dhe vendime nga përgjegjësitë e saja kushtetuese dhe ligjore.
Zv/kryeministrja Edita Tahiri ka njoftuar kabinetin qeveritar se në procesin e dialogut në Bruksel ka pasur zhvillime pozitive në zbatimin e marrëveshjeve për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, në ndërtimin e infrastrukturës së përbashkët në gjashtë vendkalimet kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, projekt ky i financuar dhe mbikëqyrur nga Bashkimin Evropian.
Gjithashtu, ajo ka theksuar arritjen e marrëveshjes për energjinë dhe lëvizjen e lirë, ndërsa ka thënë se tashmë janë shënuar hapa edhe në drejtim të arritjes së marrëveshjes për telekomunikacionin.
Kryeministri Thaçi ka vlerësuar dhe ka shprehur falënderim për angazhimin e zv/kryeministres Tahiri dhe ekipit të saj në procesin e dialogut në Bruksel.
Me propozimin e Ministrit të Financave, qeveria ka miratuar vendimin për rialokimin e 29 milionë eurove për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe 500 mijë euro për Radio Televizionin e Kosovës.
Me vendimin e aprovuar sot në mbledhjen e qeverisë, u është vazhduar mandati edhe për tre vite disa zyrtarëve të lartë. /gj.m//a.ke/