/ATSH-B.Jashari/.-Kryeministri Isa Mustafa kërkoi sot nga anëtarët e kabinetit qeveritar, që me prioritet të lartë të trajtojnë dhe përgatisin përgjigjet në pyetësorin për Konferencën e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, që këtë vit do të mbahet në Vjenë.
"Ministritë duhet të evidentojnë projektet zhvillimore nga fusha të caktuara dhe të bëjnë prezantimin dhe argumentimin e tyre", theksoi ai.
Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar sot mbledhjen e saj të rregullt, të katërmbëdhjetën me radhë, ku janë marrë vendime të fushave të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme ka qenë për ndarjen e mjeteve financiare, në vlerë prej 141.700,00 euro, për mbulimin e shpenzimeve të punës së Sekretarisë së Komisionit Qeveritar për njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për vitin 2015.
Këto ndahen nga shpenzimet e paparashikuara të rezervave të Qeverisë, dhe barten te Zyra e Kryeministrit.
Qeveria e Kosovës ka emëruar Sekretar të Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme Kreshnik Gashin për një mandat trevjeçar.
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe vendimi për ndarjen e 100,000 eurove për kompensimin e dëmit të shkaktuar nga zjarri në Stadiumin "Riza Lushta" në Mitrovicë./k.s/