Kosovë: Reagime të shumta pas regresit në lirinë e mediave

Kosovë: Reagime të shumta pas regresit në lirinë e mediave

Foto ilustruese

19 vende më poshtë sesa viti paraparak - kështu u rendit Kosova në indeksin për lirinë e shtypit nga organizata "Reporterët pa Kufij". Kjo renditje - në vendin e 75 në botë nga 180 shtete, viti i shkuar vendi ishte në vendin e 56-të - ka ndezur debat në Kosovë.  Në raport thuhet se "mediat në Kosovë, pavarësisht se vazhdojnë t'i mbajnë përgjegjës politikanët, gazetarët vazhdojnë të jenë cak i sulmeve politike”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shprehu mbështetjen për gazetarët, ndërsa,  kryeministri Albin Kurti, tha se ai është i hapur për të adresuar shqetësimet e mediave. Presidentja Vjosa Osmani, tha se "liria e shtypit është thelbësore për demokracinë dhe të vërtetën”, ndërsa, shprehu shqetësim për lajmet e rreme dhe dezinformatat dhe sipas saj, "luftimi i tyre nuk ka qenë kurrë më urgjente”.

Edhe kryeministri Kurti, shkroi në platformën X se qeveria e tij, "është e hapur dhe e gatshme për të adresuar shqetësimet e mediave dhe për të punuar drejt një peizazhi më transparent dhe më pluralist". Ai tha se "e kupton përpjekjen e madhe që duhet bërë për të hedhur dritë mbi të vërtetën në kohën kur dezinformimi po përdoret si armë".

Renditja në indeksin e lirisë së medias duhet parë si alarm

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, e merr tejet shqetësues regresin që shënoi Kosova në indeksin e lirisë së shtypit.

"Si rrallë ndonjëherë mëngjesi ka nisur me një raport të Indeksit të Reporterëve Pa Kufij, që në vitet e fundit Kosova shënon regresin më të madh, 19 vende më poshtë sesa vitin e kaluar kur renditej në pozitën e 56-të. Kjo renditje mund të mos jetë befasi për komunitetin e gazetarëve dhe medieve në Kosovë për shkak të asaj se çka kemi përjetuar në vitin e fundit, por duhet të jetë alarm për ata që kanë ndikuar në këtë rënie dhe këtu më së shumti e kam fjalën për institucionet e Kosovës, Qeverinë e Kosovës”, thotë Rexha.

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Michael Davenport, thotë se "nuk ka dyshim që në 12 muajt e fundit kemi pasur rritje të dhunës drejt gazetarëve”. "Nuk është keq që të kujtojmë, që gazetarët duhet të ndjehen në gjendje të mirë dhe të fortë, për ta bërë punën e tyre, ata duhet së pari të ndjehen të sigurtë dhe të lirë, dhe të mos kenë frikë nga kërcënimet dhe shantazhimet”, tha Davenport.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rohde, shkroi se "mediat shpesh përmenden si shtylla e katërt e demokracisë dhe ato duhet të mbrohen e jo të kontrollohen. Sipas tij, "në Kosovë, media ka një pozicion më të mirë në krahasim me rajonin. Megjithatë, raporti i publikuar nga Reporterët pa Kufij tregon një rënie alarmante me 19 vende nga viti i kaluar. Nevojitet një kthesë”, shkroi Rohde.

Reagime nga opozita

Partitë opozitare në Kosovë për regresin që shënoi Kosova në lirinë e shtypit, e evidentuar në raportin e ‘Reporterëve pa Kufij',  akuzat  i drejtuan tek partia në pushtet. Kryetari i partisë më të madhe opozitare, PDK, Memli Krasniqi, shkroi se "historikisht punëtorët medial kanë mirëmbajtur standarde, integritet dhe guxim të lartë edhe në kohërat më të errëta të vendit tonë”.

Prandaj sipas tij, "zhvillimet e fundit në Kosovë, megjithëse në liri, paraqesin një pamje dhe një situatë tejet shqetësuese për median e lirë”. "Presioni në rritje i Qeverisë ndaj mediave të pavarura dhe shënjestrimi i gazetarëve të vendit tonë është kërcënim në rritje për lirinë e shtypit dhe fjalës së lirë”, shkroi Krasniqi.

Edhe partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, u shpreh e shqetësuar për gjetjet e raportit të Reporterëve pa Kufij, por edhe gjetjet e dy raporteve të mëhershme, një nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe organizata për të drejtat e njeriut, Freedom House, të cilat i përmenden në Kosovë, "kufizimet ndaj lirisë së shprehjes dhe mediave”.

"Duhet të kujtojmë dhe vlerësojmë rëndësinë jetike të një shtypi të lirë dhe të pavarur, që është themeli i çdo demokracie të shëndetshme. LDK, vlerëson po ashtu se demokracia nuk mund të mbijetojë në heshtje. Për një shoqëri që dëshiron të avancojë, duhet një media e lirë që sfidon, pyet dhe kërkon llogari”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Në të gjeturat e organizatës Reporterët pa Kufij, thuhet se "gjatë vitit, gazetarët në Kosovë kanë qenë cak i sulmeve fizike dhe rrjetet kriminale kanë penguar punën e tyre”. "Edhe pse sulmet po hetohen nga policia dhe prokuroria, rastet rrallë ndiqen penalisht.

Sulmet ndaj gazetarëve u rritën në kohën e tensioneve politike mes Prishtinës dhe Beogradit”, thuhet në raport. Dhjetra gazetarë në maj të vitit të shkuar ishin cak i sulmeve fizike gjatë raportimeve në veri të Kosovës, kur u rritën tensionet dhe protestat e serbëve eskaluan në përleshje me KFOR-in dhe policinë e Kosovës./ DW

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë