PRISHTINË, 29 Dhjetor /ATSH/.- Rrugët rajonale, magjistrale dhe ato urbane në Kosovë janë të kalueshme, por të vështira në qarkullim, bën të ditur Policia e Kosovës.
"Në disa rrugë që janë kryesisht në zona malore dhe në zona të thella duke përfshirë fshatrat qarkullimi është shumë i vështirë dhe kryesisht kalimi mund të bëhet vetëm me pajisje dimërore. Po ashtu qarkullimi për mjetet e rënda të transportit, në disa zona është vështirë i kalueshëm dhe këshillohet mbajtja e pajisjeve dimërore", theksohet në njoftimin e policisë.
Policia gjithashtu njofton se në disa rrugë ka edhe akull prandaj kujdesi duhet rritur vazhdimisht, sidomos në orët e vona dhe në orët e hershme të mëngjesit.
"Rrugët në të cilat janë paraqitur vështirësi për qarkullim dhe mbeten të papastruara nga bora janë kryesisht rrugët ku përfshihen zonat malore por edhe disa rrugë dytësore, në fshatra të komunave të ndryshme", raporton Policia e Kosovës.
Policia i bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të jenë të kujdesshëm gjatë qarkullimit në rrugë, t'u përshtaten kushteve të rrugës, kushteve atmosferike, si dhe të kenë pajisjet e nevojshme dimërore në pajtim me ligjin mbi komunikacionin rrugor./KosovaPress/k.s/












