PRISHTINË,  19 Tetor /ATSH-Behlul Jashari/.-Kosova dhe Serbia, para dy vitesh, pikërisht  në 19 tetor 2012, nisën takimet në nivel të lartë të kryeministrave, në procesin e dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE-ja e mbështetur nga SHBA.
Qeveria e Kosovës, takimin e parë në mes të kryeministrit kosovar Hashim Thaçi dhe kryeministrit të atëhershëm serb Ivica Daçiç me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton e vlerësonte një kapitull i ri për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve sovrane. "Ky proces, patjetër që do e përshpejtoj integrimin e dy shteteve në BE dhe do të jetë në shërbim  të paqes dhe stabilitetit në rajon", theksonte kryeministri Thaçi, pikërisht në 19 tetorin e para dy viteve.
Kryeministri Thaçi, në njëvjetorin e nënshkrimit në Bruksel në 19 prill 2013 të Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerëson atë historike.
"Para një viti, në Bruksel, pas një sërë bisedimesh, u arrit një marrëveshje historike midis Kosovës dhe Serbisë, në mes dy kryeministrave të vendeve respektive, në një dialog të ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri si dhe nënkryetare e Komisionit Evropian, Baronesha Ashton, me mbështetje të fuqishme SHBA-ve", përkujtonte ai në 19 prill 2014. 
Kryeministri Thaçi theksonte se, kjo marrëveshje historike ka mbyllur kapitullin e përgjakur ndërmjet dy popujve dhe ka hapur kapitullin e paqes dhe të fqinjësisë së mirë.
"Fillimi i zbatimit të Marrëveshjes është një e arritur në vijim dhe është duke dhënë rezultate të prekshme", shprehej, mes tjerash, Thaçi.
Kryeministri i atëhrshëm, tash ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, me rastin e dyvjetorit të fillimit të bisedimeve të Serbisë me Kosovën, në nivel të kryeministrave, thotë se Beogradi e dëshiron dialogun me Prishtinën, por aktualisht pritet konstituimi i institucioneve të Kosovës."Theksoj se Serbia e dëshiron vazhdimin e dialogut dhe implementimin e plotë të të gjitha marrrëveshjeve", tha Daçiç. "E presim konstituimin e pushtetit në Prishtinë", i tha Daçiç agjencisë Beta, cituar nga Radio Evropa e Lirë.
Më tej shtohet se, Ivica Daçiç, i cili si kryeministër i Serbisë, prej 19 tetorit 2012, kur nën "vellon e fshehtësisë" ka filluar dialogu, me Hashim Thaçin është takuar afro 40 herë.
"Serbia për të parën herë nuk është shënuar si shkak i krizës, i ka marrë vlerësimet më pozitive për kontribut në dialog, dhe sikur të mos kishte pasur sukses, Serbia nuk do të kishte lëvizur kaq shumë në rrugën evropiane, dhe nuk do të ishte cilësuar pozitivisht për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian", tha Ivica Daçiç.
ATSH ka raportuar se Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar 23 raunde takimesh në nivel kryeministrash në Bruksel, së fundi në 31 mars - të tretin në vitin 2014.
Kryeministrat Thaçi dhe Daçiç zhvilluan takimin e parë në 19 tetor të vitit 2012, gjatë të cilit kishte tre raunde. Në vitin 2013 kanë zhvilluar 17 raunde.
Procesin, që nga fillimi,  e ka ndërmjetësuar dhe udhëhequr Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Baronesha Catherine Ashton.
Fishë teknike/ Kosovë-Serbi, 23 raundet e dialogut në nivel  kryeministrash
PRISHTINË,  19 Tetor /ATSH-Behlul Jashari/.-Datat e 23 raundeve të dialogut Kosovë- Serbi në procesin e dialogut drejt normalizimit të marrëdhënieve, të kryesuar nga BE-ja e mbështetur nga SHBA, në nivel të lartë mes kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, zhvilluar në Bruksel, ndërmjetësuar dhe udhëhequr nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton:
Viti 2012:Raundi 1 - 19 tetorRaundi 2 - 7 nëntorRaundi 3 - 4 dhjetor Viti 2013:Raundi 4 - 17 janarRaundi 5 - 19-20 shkurtRaundi 6 - 4 marsRaundi 7 - 20 marsRaundi 8 - 2 prillRaundi 9 - 17 prillRaundi 10 -19 prillRaundi 11 - 21 majRaundi 12 - 20-21 qershorRaundi 13 - 8 korrikRaundi 14 - 24 korrikRaundi 15 - 27 gushtRaundi 16 - 8 shtatorRaundi 17 - 7 tetorRaundi 18 - 6 nëntorRaundi 19 - 5 dhjetor
Raundi 20 - 13 dhjetor
 Viti 2014:Raundi 21 - 27 janarRaundi 22 - 12 shkurtRaundi 23 - 31 mars /a.g/