Kosovë/ Shpallen të pafajshëm 'veteranët'

Kosovë/ Shpallen të pafajshëm 'veteranët'

Foto ilustruese

Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli të martën të pafajshëm 12 të akuzuarit për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në rastin e njohur si "veteranët".

Gjykata tha se të gjithë u liruan nga akuza pasi që "nuk ka gjetur prova se të njëjtit kanë kryer veprën penale” për të cilën janë akuzuar nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës.

Në shtator të vitit 2018, Prokuroria e Posaçme e Kosovës, ngriti aktakuzë kundër Agim Çekut, Nuredin Lushtakut, Sadik Halitjahajt, Shkumbim Demaliajt, Rrustem Berishës, Faik Fazliut, Fadil Shurdhajt, Xhavit Jasharit, Qelë Gashit, Shukri Bujës, Ahmet Dakut dhe Smajl Elezajt, nën dyshimet për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Akuzat kishin të bënin me periudhën kur të dymbëdhjetët ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në akuzë thuhej se "është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej 68 milionë eurosh".

Hetimet për këtë rast zgjatën për një vit e gjysmë dhe u shqyrtuan mbi 80 mijë aplikacione për statusin e veteranit të luftës.

Çështja e listave të veteranëve të luftës u ngrit gjatë verës së vitit 2018 kur prokurori i Prokurorisë së Posaçme të Kosovës, Elez Blakaj, që po e trajtonte këtë çështje, dha dorëheqje duke akuzuar kryeprokurorin e shtetit, Aleksandër Lumezi për ndërhyrje dhe përpjekje për frikësim, ndërsa vuri në pah se, siç tha ai, është kërcënuar gjatë trajtimit të keqpërdorimeve me hartimin e listave të veteranëve.

Ish prokurori Blakaj, në një letër të hapur atëbotë, tha se mund të ishin 19 mijë përfitues të rremë të skemës së pensioneve për veteranët e luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pohimet e tilla nxitën diskutime rreth numrit të saktë të tyre.

Anëtarët e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve hodhën poshtë akuzat duke theksuar se numri i madh i të përfshirëve në listat e veteranëve është rrjedhojë e ligjit për veteranët që parasheh përfshirjen e shumë kategorive që kanë ndihmuar luftën e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./ VOA

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Në hetim në Gjermani për trafik kokaine nga Amerika Latine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut në Shqipëri

Në hetim në Gjermani për trafik kokaine nga Amerika Latine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut në Shqipëri