Kosovë,shtyhet votimi i qeverisë
së re, mungojnë deputetët serbë

Kosovë,shtyhet votimi i qeverisë<br />së re, mungojnë deputetët serbë
PRISHTINE – Kuvendi i Kosovës ka shtyrë për nesër në mesditë votimin e qeverisë së re të Kosovës, të realizuar pas marrëveshjes së arritur mes PDK dhe LDK. Pas disa orë diskutimesh në seancën e mbledhur mbasditen e sotme, këto dy parti kanë kërkuar shtyrjen e seancës dhe votimit për ditën e nesërme për shkak të mungesës së deputeteve serbë.

Kuvendi i Kosovës diskutoi sot për qeverinë e re, me kryeministër Isa Mustafën dhe Zv/kryeministër Hashim Thaçin, ndërsa debati do të vazhdojë dhe nesër, e më pas do të kalohet në votim. Në mbledhjen e Kuvendit gjatë pasdites së sotme, të drejtuar nga Kadri Veseli, Thaçi tha se Presidentes Jahjaga i është propozuar Isa Mustafa në krye të qeverisë së re të Kosovës, e cila e ka mandatuar atë në detyrë. Të pranishëm në sallën e Kuvendit ishin 104 deputetë, ndërsa deputetët e Listës Serbe, e cila ka 9 deputetë nuk morën pjesë, pasi sipas tyre nuk iu përmbushën kushtet.
 
Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, Isa Mustafa tha se shtylla kryesore të qeverisjes nga qeveria e drejtuar prej tij do të jetë shteti ligjor dhe mirëqenia e qytetarëve të Kosovës.
 
“Më lejoni që para jush të paraqes parimet e qeverisë për 4 vitet e ardhshme. Do të qeveriset nga dy partitë më të mëdha si dhe pakicat. Koalicioni është ndërtuar duke respektuar vendimin e qytetarëve të Kosovës si dhe në bazë të ligjeve. Do të punojmë shumë për sundimin e ligjit, shtetin e së drejtës. Është e vetëdijshme për zhvillimin ekonomik, forcimin e sektorit privat si dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Do përmbushim standardet për të anëtarësuar Kosovën në BE si dhe në OKB. Qeveria e re do të rrisë marrëdhëniet me organizatat. Shprehim përkushtimin tonë për fqinjësi të mirë me vendet fqinje. Jemi të vetëdijshëm për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë, zbatimin e marrëveshjeve të arritura si dhe firmosjen e marrëveshjeve të reja”, tha Mustafa.

Ndërsa paraditen e sotme Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, liderë të koalicionit më të fundit PDK-LDK nënshkruan marrëveshjen për të bashkëqeverisur vendin në 4 vitet e ardhshme.

Mustafa: Shtylla e parë e Qeverisë, zhvillimi ekonomik
Mustafa tha se shtyllë e parë e programit të Qeverisë do të jetë zhvillimi ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve, duke promovuar tregun e hapur. Isa Mustafa si i nominuar për kryeministër ka paraqitur programin e Qeverisë së re, duke thënë se me përkushtim do të ndërtojnë një shtet që lufton korrupsionin, krimit të organizuar dhe të gjitha llojet e ekstremizmit.
 
Mustafa tha se shtyllë e parë e programit të Qeverisë do të jetë zhvillimi ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve, duke promovuar tregun e hapur.
 
“Qeveria e re do të bashkëpunoj me shoqërinë civile dhe përfaqësuesit e bizneseve. Ne shprehim përkushtimin për të ndërtuar një shtet që lufton korrupsionin dhe të gjitha llojet e ekstremizmit, duke respektuar të drejtat e secilit”, ka thënë ai.
 
Mustafa tha se Koalicioni qeverisës është ndërtuare duke respektuar vullnetin e qytetarëve të Kosovës, të shprehur me votën e lirë. Qeveria do të fokusohet në krijimin e sa më shumë vendeve të reja të punës. Sepse, vetëm nëpërmjet forcimit të ekonomisë së tregut shoqëria do të arrijë forcimin ekonomik e social.
 
Ai shprehu përkushtimin për fqinjësi të mirë dhe dialog reciprok me vendet fqinje për krijim të paqes me vendet e rajonit.
 
Mustafa shprehu përkushtimin për të ndërtuar një shtet që ofron mundësi të barabarta për qytetarë dhe luftim të krimit e korrupsionit.
 
Mustafa tha se do të forcojë vizionin për Kosovën si shtet i pavarur. Ai u zotua për funksionim të pavarur të legjislativit e gjyqësorit.

isa mustafa

Haradinaj: Janë bërë të këqijtë bashkë
Lideri i AAK-së i cili ka thënë se do të mbetet deputet ka sulmuar koalicionin. Ai ka thënë se tani të këqinjtë janë bërë bashkë por ka theksuar se kësaj gjendje do t'i vijë fundi shumë shpjet.

“Sa herë që është ardh mundësia me ardh ndryshimi të këqijtë janë bërë bashkë. Kosova ka njerëz të mirë dhe të ndershëm. Kosova s’ka me lon të keqen me sundu vendin non stop” deklaroi Haradinaj. Ai më pas iu ka drejtuar Mustafës: “Si politikan nuk e di qysh ka me mujt me zgjidh çështjen e punësimit 50 përqind të papunë?”

Konjufca: Mustafa negocioji shpresën e qytetarëve
Glauk Konjufca, nga VV ka thënë se Isa Mustafa nuk është një njeri që mund t’i besohet duke qenë se ai kishte negociuar shpresën e qytetarëve për postin e tij të kryeministrit.

“Çdo gjë që e kemi thënë për qeverinë në largim ka dalë të jetë e vërtetë. Kjo ka qenë një qeveri e korrupsionit, e kapjes së drejtësisë, qeveri që vjedh nga pasaportat e qytetarët, nepotizmit, që ka arritur ta korruptojë madje edhe misionin e BE’së në Kosovë, EULEX. Kjo qeveri nuk punoi per qytetarin po për vota. Më 9 qershor lindi nje shpresë e re për qytetarët se mos Kosova po merr nje kthesë të re. Dhe kjo zgjati për 5 muaj deri sa ky njeri që po bëhet sot kryeministër e bëri aktin më të shëmtuar që mund ta imagjinoj morali minimal publik. Ma jepni votën tuaj se do të jetë fund i qeverisjes së kriminalizuar të PDK-së, nuk paska qenë i sinqertë.Ky kryeministër e bëri aktin më të ultë publik. Ai erdhi në krye duke e kundërshtuar PDK-në. Ai u tha njerëzve se do t’i jap fund keqqeverisjes kriminale të PDK-së. Ky njeri në asnjë sekondë nuk paska qenë i sinqertë. Si mundi ai ta keqpërdorë votën e qytetarëve dhe ta negociojë me Hashim Thaçin”, tha Konjufca i cili ndër tjerash citoi Ismet Beqirin i cili kishte  thënë se “Koalicioni PDK-LDK është katastrofë për Kosovën”, theksoi Konjufca.

Limaj i befasuar me Thaçin
Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, duke folur në Kuvendin e Kosovës tha se pa marrë parasysh që ky koalicion i ka numrat, nuk do të thotë se ka çdo gjë.Ai i bëri thirrje koalicionit PDK - LDK që të ketë kujdes me fuqinë që e ka.Limaj shprehu befasinë e tij, duke thënë se një ndërrim të tillë të pozitave nuk e kishte pritur. "Të gjitha i kam pritur, por jo edhe që Hashim Thaçi të hiqte dorë nga kryeministria e këtë t'ia falte profës", tha Limaj. 

Kurti: Ditë e zezë për Kosovën 
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kritikoi koalicionin PDK-LDK. Ai tha se edhe pse pa institucione, Kosova deri tash ka qenë në një krizë të butë, e cila pas këtij koalicioni është thelluar. “Kjo është dita më e zezë për Kosovën sepse në njërën anë kreu i SHIK-ut u bë kryeparlamentar dhe dy parti që po rrudhen u bënë bashkë për të qeverisur”, tha Kurti. “Në një takim që kishim me Isa Mustafën, pati thënë as UDB-ja nuk është më e keqe se SHIK-u, ndërsa tash po do të bëhet kryeministër me koalicion me anëtarët e SHIK-ut”, shtoi Kurti.

albin kurti

Firmoset marrëveshja Mustafa Thaçi, Veseli kryetar i Kuvendit
Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, liderë të koalicionit më të fundit PDK-LDK nënshkruan sot marrëveshjen për të bashkëqeverisur vendin në 4 vitet e ardhshme.
 
Pas 6 muaj ngërç politik, dy krerët e partive në koalicion theksuan se marrëveshja e sotme ishte në të mirë të vendit, duke përmendur edhe objektivat e qeverisë së re e cila gjithashtu, do të jetë në interes të qytetarëve të Kosovës. 

"Duke marrë parasysh dhe në konsideratë nevojen për vazhdimin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës, krijimin e vendeve të punës, sundimin e rendit dhe ligjit, trajtimin e barabartë të gjithë qytetarëve të Kosovës në anën tjetër të përkushtuar ndaj organizmave dhe të ardhmes evropiane.Kemi vendosur që të nënshkruajmë, për të mirën e vendit dhe të mirën e qytetarëve të Kosovës, duke përfshirë edhe partnerët minoritarë të koalicionit, kemi nënshkruar marrëveshjen e koalicionit 2014-2018, për krijimin e institucioneve", u shpreh Thaçi.

"Këtë marrëveshje e kemi bërë në interes të qytetarëve të Kosovës dhe në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve...me qëllim të integrimit në Bashkimin Evropian. Do të përkushtohemi të realizojmë edhe më shumë se sa që kemi premtuar, përkushtimi ynë është që të arrijmë objektivat tona. Falenderoj z.Thaçi dhe gjithë të tjerët, dhe do të punojmë ngushtë në angazhimin dhe bashkëpunimin e përbashkët me opozitën dhe gjithë organizmat tjerë.“Është marrëveshje e arsyeshme, racionale, për Kosovën evropiane dhe për të mirën e vendit”, u shpreh Mustafa.

Firmosja e marrëveshjes i hapi rrugë krijimit të qeverisë dhe institucioneve të Kosovës. Paraprakisht mediat kosovare kanë publikuar listën me emrat e ministrave që do të përbëjnë qeverinë Musatafa, e cila do të ketë zëvendës kryeministër dhe ministër të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçin.

thaci mustafa 

Jahjaga mandaton Isa Mustafën për Kryeministër

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka nënshkruar dekretin për Isa Mustafën, si i mandatuari për formimin e qeverisë së Kosovës. Sipas marrëveshjes PDK-LDK, kandidat për kryeministër do të jetë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Jahjaga

Konsituohet Kuvendi, Kadri Veseli i PDK-se zgjidhet ne krye te Parlamentit
Rreth një orë pas nënshkrimit të marrëveshjes, nën drejtimin e deputetes më të vjetër, Flora Brovina, Kuvendi mbajti seancën konstituive për zgjedhjen drejtuesve të institucionit dhe votimin e qeverisë së re të koalicionit PDK-LDK, e zyrtarizuar me firmat e dy krerëve të partive.

Me 71 vota pro, 42 kundër dhe 1 abstenim Kadri Veseli nga radhët e PDK-së u zgjodh kryetar Kuvendi. Ndërsa nënkryetarë u zgjodhën Xhavit Haliti nga PDK, Sabri Hamiti nga LDK, Glauk Konjufca nga Vetëvendosja, Jasmina Zhivkoviq nga Lista Serbe dhe Duda Bale nga Partia Demokratike e Turqve të Kosovës.

U vu re se 4 LDK-ja nuk ishte e unifikuar pasi 4 deputetë nga radhët e saj votuan kundër Veselit, konkretisht Kujtim Shala, Vjosa Osmani, Adem Salihaj dhe Arben Gashi. Ndërsa deputetët e Vetëvendosjes së bashku me ata të Nismës për Kosovën lanë sallën gjatë fjalës së kryeparlamentarit të ri Veseli.

Kuvendi i Kosovës themeloi kështu zyrtarisht organet e veta dhe tejkaloi ngërçin 6 mujor të politikës kosovare prej zgjedhjeve të parakohshme të 8 Qershorit.

Marreveshja e firmosur mes Thacit e Mustafes per qeverine e re te Kosoves
marreveshja kosove
marreveshja kosove
marreveshja kosove

Qeveria "Mustafa"
Kryeministër i Republikës së Kosovës - Isa Mustafa
Zëvendëskryeministër i parë - Hashim Thaçi
Ministër i Punëve të Jashtme - Hashim Thaçi
Zëvendëskryeministra - Muhamet Mustafa dhe Skender Hyseni
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë - Arsim Bajrami
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural - Memli Krasniqi ose Blerand Stavileci
Ministria e Diasporës - Edita Tahiri
Ministria e Drejtësisë - Hajredin Kuçi
Ministria e Integrimit Evropian - Bekim Çollaku
Ministria e Zhvillimit Ekonomik - Ramiz Kelmendi ose Besim Beqaj
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor - Xhavit Haliti
Ministria e Punëve të Brendshme - Haki Demolli
Ministria e Shëndetësisë - Teuta Sahatçiu
Ministria e Infrastrukturës - Lutfi Zharku
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë - Hikmete Bajrami
Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës - Anton Çuni
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit - Kujtim Shala (mund të ndryshojë)
Ministria e Financave - Avdulla Hoti
Minister i Shtetit dhe Udhëheqës i dialogut teknik Kosovë-Serbi - Enver Hoxhaj
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal - Aleksandër Jablanoviq
Ministria për Komunitete dhe Kthim - Slobodan Petroviq
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale - Nenad Rashiq
Ministra e Administrates Publike - Mahir Yagcilar
Kuvendi i Republikës së Kosovës - Kadri Veseli, kryetar

marreveshja kosove

Seanca konstituive e Kuvendit
Brovina fillimisht dha arsyetimin kushtetues për vazhdimin e seancës dhe më pas thirri kryetarin e grupit parlamentar të PDK-së, Hajredin Kuçin, për të propozuar kandidatin e PDK-së për kryetar të Kuvendit. 

Hajredin Kuçi, për kryetar të Kuvendit propozoi Kadri Veselin dhe njëherësh, propozoi edhe kandidatin e PDK-së për nënkryetar të Kuvendit, Xhavit Halitin.
Fillimisht u bë votimi për zgjedhjen e Kadri Veselit për kryetar Kuvendi. Nga 119 deputetë të pranishëm në sallë, 71 votuan për, 42 ishin kundër ndërsa 1 deputetë abstenoi . Kështu, Kuvendi i Kosovës fitoi edhe kryetarin e vet, Kadri Veselin.

Më pas, kryesuesja e seancës konstituive ftoi kryetarët e grupeve parlamentare tjera, për të propozuar kandidatët e tyre për nënkryetar.
Në emër të LDK-së, Ismet Beqiri propozoi që nënkryetar i Kuvendit nga partia e tij të jetë Sabri Hamiti ndërsa, Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje propozoi deputetin Glauk Konjufca. Haliti, Hamiti dhe Konjufca u votuan në pako dhe nga 119 deputet prezent, kjo treshe fitoi 98 vota për, 2 ishin kundër dhe 15 deputetë abstenuan

kuvendi kosove

Sipas Nenit 67 paragrafit. 4 të Kushtetutës së Kosovës, kryesuesja e Seancës konstituive, Flora Brovina ftoi edhe përfaqësuesit e partive të komuniteteve pakicë që i kanë vendet e garantuara, nga komuniteti serb dhe komunitetet jo-serbe, që të japin propozimet e tyre.

Lista Serbe propozoi deputeten Jasmina Zhivkoviq për nënkryetare kurse, Mahir Yagcilar, në emër të grupit parlamentar “6+” të komuniteteve pakica jo-serbe në Kuvendin e Kosovës propozoi deputeten Duda Bale nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP). Nga 119 deputetë prezent, ky propozim kaloi me 75 vota pro, 19 kundër dhe 20 abstenuan.

Me përfundimin e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, kryesuesja e seancës Konstituive, Flora Brovina e përfundoi punën e saj dhe ftoi të porsazgjedhurit të zënë pozitat e tyre, duke e bërë pranim dorëzimin me Kadri Veselin. 
 
Veseli: Angazhimi im, në interes të vendit
Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, fillimisht përshëndeti të pranishmit në sallë dhe u zotua se në mandatin e radhës, 2014-2018, do të punojë së bashku që Kuvendi i Kosovës të jetë një vend ku do të punohet në miratimin e Ligjeve shumë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës dhe integrimin e saj në strukturat Euroatlantike dhe bashkimin Evropian. Njëherësh, ai u zotua se Kuvendi i Kosovës do të jetë një vend i debateve gjithëpërfshirëse dhe kompromiseve, e jo i metodave përjashtuese.

“Unë sot, si kryetar i juaj, do të respektojë fjalën e juaj si deputetë, të opozitës dhe pozitës. Do të angazhohem që debatet tona pozitë-opozitë të jenë mbi politikat ditore, mbi mosmarrëveshjet personale, por në angazhimin në interes të vendit” tha Veseli, pas fjalimit të së cilit u përmbyll seanca konstituive.
 
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjëgjesia?



×

Lajmi i fundit

Flakët e zjarri përfshijnë edhe Llogaranë, Report Tv siguron pamjet

Flakët e zjarri përfshijnë edhe Llogaranë, Report Tv siguron pamjet