Katër persona mbetën të plagosur pas një përleshjeje me armë zjarri që ndodhi këtë të enjte në sheshin “Bulevardi i Dëshmorëve” në Podujevë. Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, tre prej tyre janë të përfshirë drejtpërdrejt në konflikt, ndërsa i katërti është një kalimtar i rastit që u plagos gjatë të shtënave.
Prokuroria bëri të ditur se, sipas të dhënave të para të hetimit, në ngjarje janë përfshirë familjarë, konkretisht nip dhe dajë, ndërsa motivi i dyshuar lidhet me një mosmarrëveshje të mëparshme.
Menjëherë pas ngjarjes, prokurori kujdestar dhe njësitë e Policisë së Kosovës dolën në vendin e ngjarjes dhe nisën hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Të plagosurit janë transportuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po marrin trajtim mjekësor. Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, tha se të katër të plagosurit janë në gjendje të rëndë, por stabile, ndërsa njëri prej tyre është futur në sallën e operacionit.
Ndërkohë, nënkoloneli i Policisë së Kosovës, Basri Shabani, konfirmoi se tre personat e përfshirë në incident kanë lidhje familjare dhe se dyshohet që konflikti të ketë ardhur për probleme brenda familjes, megjithëse motivi ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Prokuroria ka bërë të ditur se personat e përfshirë dyshohen për veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë”, ndërsa hetimet vijojnë.
Në Kosovë llogaritet se në duart e qytetarëve janë mijëra armë zjarri pa leje.
Ekspertët kanë argumentuar se është i nevojshëm konfiskimi i tyre me qëllim që të ulet numri i incidenteve të armatosura.
Komente








