Kosovë/ Votimi i komplikuar i diasporës dhe ndikimi në rezultatin përfundimtar

Kosovë/ Votimi i komplikuar i diasporës dhe ndikimi në rezultatin përfundimtar

Pamje e numërimit të votave pas zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 2019

Diaspora e Kosovës mund të votojë vetëm përmes postës. Por deri tek votimi, duhen kaluar disa pengesa: Procesi i aplikimit po cilësohet shumë i komplikuar, ndonëse me ndikim të madh në rezultatin përfundimtar.

Një zyrë nga shërbimi votues i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është duke vazhduar me shqyrtimin, verifikimin dhe regjistrimin e aplikacioneve nga votuesit jashtë Kosovës, aplikacione këto që janë dërguar/pranuar deri më 21 janar. Thuhet se janë rreth 200 mijë E-maila që janë dërguar në KQZ, por jo domosdoshmërisht të gjithë do të pranohen si të rregullt. Kjo për faktin që një person ka mundur të dërgojë disa E-maila.

Verifikimi i të drejtës së votimit

Zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi, i tha DW-së, se mbi 130 mijë aplikacione tashmë janë futur në sistem, ndërsa, mbi 60 mijë janë aprovuar me të drejtën për votim. Aprovimi i tyre është bërë pas verifikimit edhe me thirrje telefonike. "Vetëm pas përfundimit të të gjithë kësaj periudhe të shqyrtimit, vlerësimit dhe verifikimit të aplikacioneve, në fund do të kemi një raport të detajuar ku do ta dimë saktë se sa është numri i aplikimeve për t'u regjistruar si votues jashtë vendit dhe se sa prej tyre do të regjistrohen suksesshëm pasi kanë plotësuar kriteret ligjore”, thotë Valmir Elezi.

Sipas Elezit, votuesit jashtë Kosovës e që kryesisht është diaspora kosovare do të mund të votojnë vetëm me postë. "Të gjithë qytetarët, të cilët regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës do të mund të votojnë përmes postës duke filluar nga data 2 shkurt. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja deri më 12 shkurt”, thotë Valmir Elezi.

Qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit nuk mund të votojnë ndryshe por vetëm me postë, e jo sikurse shumë vende tjera që këtë çështje e kanë të rregulluar me ligj që mund të votojnë në misionet e tyre diplomatike. Një gjë e tillë për Kosovën nuk është e paraparë me ligjin për zgjedhjet. Vitin e shkuar kishte një nismë  për amendimin e ligjit për zgjedhje që votimi i diasporës kosovare të bëhej në misione diplomatike, por kjo nuk u bë. Sipas hulumtuesve të një organizate joqeveritare Germin, që merret kryesisht me çështje të diasporës, "një gjë e tillë nuk është mundësuar për faktin se Kosova nuk ka pasur mjaftueshëm misione diplomatike në botë, për të ofruar këtë të drejtë. "Duke marrë parasysh numrin e limituar të misioneve diplomatike, edhe nëse do të kishim këtë të drejtë, nuk është se do të kishim shumë qendra votimi ku do të mund të organizohej procesi”, thotë Lirim Krasniqi nga organizata Germin.

Kosova aktualisht ka vetëm 60 misione diplomatike në botë. Rrjeti i organizatave joqeveritare "Demokracia në Veprim”, që vazhdimisht monitoron proceset zgjedhore në Kosovë, në raportin përfundimtar për zgjedhjet e fundit të vitit 2019, tha se "nga të dhënat e sekretariatit të KQZ-së, për regjistrim jashtë Kosovës kishin aplikuar 40,313 persona, apo 19,959 më shumë se në zgjedhjet e 2017. Nga ky numër, KQZ-ja ka miratuar 35,087 votues, kurse janë refuzuar 5,226 aplikacione. Shtetet prej nga kanë ardhur më së shumti aplikacione dhe që janë aprovuar janë: Gjermania, Zvicra, Serbia, Austria dhe Italia. Në zgjedhjet e vitit 2019, numri i përgjithshëm i votuesve nga jashtë të cilët e kanë ushtruar suksesshëm të drejtën e tyre të votës ishte 20,191 vetë. Prej tyre, 19,789 vota kanë qenë të vlefshme, që përbëjnë 2.72% e numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme, thuhet në raportin e KDI-së.

Rëndësia e votës së diasporës

Procesi i votimit jashtë Kosovës shihet si një proces me rëndësi për zgjedhjet? Por se çfarë ndikimi mund të kenë votat e diasporës në rezultatin zgjedhor dhe nëse ato mund ta përcaktojnë edhe fituesin e zgjedhjeve, për Deutsche Wellen flet Arton Demhasaj, analist politik dhe njohës i proceseve zgjedhore. "Votat e diasporës janë shumë vendimtare në rezultatin përfundimtar", thotë ai, duke marrë si shembull zgjedhjet e vitit 2019.

"Ne kemi parë në zgjedhjet e fundit të vitit 2019 që përkundër që LDK nga votat brenda Kosovës kishte një epërsi të vogël kundruall lëvizjes Vetëvendosja, në momentin kur janë numëruar votat e diasporës e kanë krijuar diferencën dhe Vetëvendosja doli partia e parë. Pra, këtu bëhej fjalë për një numër të vogël votash që kanë qenë në atë kohë, ndërsa, kur flasim për tash për këto zgjedhje kur ka një aplikim tejet të madh të diasporës për të votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit, mendoj që është një mundësi e madhe që vota e diasporës të jetë vendimtare që ta bëjë një diferencë tepër të madhe ndërmjet partisë së parë dhe partisë së dytë”, thotë analisti Demhasaj.

Por procesi i votimit të diasporës është shumë i komplikuar dhe është e domosdoshme që ai proces në të ardhmen të lehtësohet, thekson ai. "Numërimi i votave të diasporës deri tek shpallja e rezultatit përfundimtar po e zvarrit tej mase procesin zgjedhor. Pas këtyre zgjedhjeve domosdoshmërisht kuvendi duhet të veprojë qoftë përmes rishikimit të ligjit të zgjedhjeve që t'i lehtësojë procedurat e votimit jashtë Kosovës”, thotë analisti Demhasaj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka bërë të ditur se të gjithë qytetarët, të cilët regjistrohen me sukses si votues jashtë Kosovës do të mund të votojnë vetëm përmes postës duke filluar nga 2 shkurti. Këto fletëvotime duhet të dërgohen ne KQZ deri më 12 shkurt, 24 orë para ditës së zgjedhjeve që mbahen më 14 shkurt./ DW

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

'Me floririn e Kërrabës ka minierë në Kongo', avokat Beqiri për Ilir Metën: Me akrobacitë majë shtyllës do të thotë se jam i sëmurë psiqik

'Me floririn e Kërrabës ka minierë në Kongo', avokat Beqiri për Ilir Metën: Me akrobacitë majë shtyllës do të thotë se jam i sëmurë psiqik