Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kanë bërë kërkuar që udhëheqësit politikë të takohen e të diskutojnë për zgjedhjen e një presidenti konsensual.

Haxhiu u ka dërguar ftesë udhëheqësve partiakë për një takim konsultativ që është caktuar për të martën e 18 gushtit. Ndërkaq, Kurti, gjatë një prononcimi për gazetarë më herët gjatë së premtes u shpreh se partitë politike duhet të fillojnë diskutimet me emra konkretë për për kreun e ri të shtetit.

Në ftesën që Haxhiu u ka dërguar udhëheqësve partiakë thuhet se takimin konsultativ ajo e ka thirrur për të biseduar për zhvillimet aktuale e politike dhe institucionale. Në ftesë është vënë theksi te rëndësia e arritjes së një marrëveshjeje për “zgjedhjen e një presidenti konsensual dhe, rrjedhimisht, për formimin e institucioneve të tjera kushtetuese”.

Ndërkaq, Kurti gjatë një prononcimi për gazetarë tha se partitë duhet të nisin diskutimet për çështjen e presidentit, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja - që do të ishin të katërtat parlamentare që nga shkurti i vitit 2025.

“Duhet të fillojmë të flasim edhe me emra, sepse po humbim shumë kohë, por më së shumti humbim duke shkuar në zgjedhje”, tha Kurti, i cili njëherësh është kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë fituese të zgjedhjeve të qershorit.

Ai tha se presidenti i ardhshëm duhet të jetë “konsensual”, gjithëpërfshirës dhe të ketë mbështetje sa më të gjerë në Kuvend dhe në mesin e qytetarëve.

Kurti bëri të ditur se mbrëmë u ka shkruar kryetarëve të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës, duke u kërkuar takim për të diskutuar për presidentin.

“Duam që për këtë të merremi vesh paraprakisht në mënyrë që të evitojmë zgjedhjet”, tha ai.

Ai vlerësoi se në Kosovë ka “me dhjetëra” personalitete nga jeta akademike, politike dhe shoqërore, përfshirë persona që kanë kontribuar në luftë dhe në shtetndërtim, që mund të konsiderohen për këtë post.

Këto deklarata të Kurtit vijnë një ditë pasi LDK-ja njoftoi se tërhiqet nga negociatat për poste me LVV-në dhe se nuk kërkon asnjë pozitë institucionale, por do të votojë për një figurë jopartiake për president.

Ndërkohë, PDK-ja dhe AAK-ja qëndruan edhe të premten në sallën e Kuvendit, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive, ndonëse për sot nuk është thirrur seancë./REL


Lajmi kryesor:

Kriza politike në Kosovë/ Opozita hyn në parlament pa seancë: Kurti uzurpues! Hamza: Vetëvendosja ka shkelur qëllimisht afatet kushtetuese