Kur presidenti Vladimir Putin dërgoi forcat e tij në Ukrainë, Kremlini dukej se po mbështetej te një aksiomë e njohur e sigurisë evropiane: numri i madh i trupave ruse, të mbështetur nga rezervat e mëdha të epokës sovjetike dhe fuqia bërthamore, do ta mposhtte rezistencën.
Më shumë se katër vjet pas pushtimit në shkallë të plotë nga Moska, ky supozim është thuajse tërësisht zhbërë. Ukraina mbijetoi, ia pamundësoi Rusisë fitoren e shpejtë që pritej dhe e shndërroi konfliktin në një luftë rraskapitëse të teknologjisë së lartë.
Ajo ka zhvilluar një cikël inovacioni që, sipas Joshua Huminskit, nënkryetar i lartë për sigurinë kombëtare dhe inteligjencën në Qendrën për Studimin e Presidencës dhe Kongresit, po ecën më shpejt se çdo gjë që po bëjnë SHBA-ja apo vendet e tjera të NATO-s.
Megjithatë, ekspertët thonë se mbështetja në rritje e Moskës te Koreja e Veriut për municione, raketa dhe trupa nuk duhet të merret as si provë se Rusia po kolapson, as, përkundrazi, se ushtria e saj do të dalë nga lufta më e fortë se më parë.
Pamja që ata paraqesin është më e ndërlikuar.
Ukraina i ka shkaktuar dëme të mëdha forcave konvencionale ruse dhe ka ekspozuar dështime të thella në planifikim dhe doktrinën e saj. Në të njëjtën kohë, Moska vazhdon të përshtatet me fushëbetejën, të zgjerojë prodhimin e armëve dhe të mësojë nga një luftë të një lloji që nuk ishte përballur më parë.
“Forcat tokësore konvencionale të Rusisë në Ukrainë po dobësohen në mënyrë të vazhdueshme”, tha Huminski për Radion Evropa e Lirë (REL). Por, ai paralajmëroi se do të ishte “gabim” të vlerësohej fuqia ushtarake ruse vetëm përmes këtij këndvështrimi.
Flotat ruse të Veriut dhe Paqësorit kanë kapacitete të rëndësishme, tha ai, ndërsa forcat e saj strategjike bërthamore kanë mbetur kryesisht të paprekura dhe Moska ende zotëron kapacitete që janë të afta në hapësirën kibernetike dhe atë hapësinore.
Prandaj, pyetja mund të mos jetë më thjesht nëse Rusia mbetet ushtria e dytë më e fuqishme në botë. Çështja është se çfarë ka ekspozuar Ukraina për kufijtë e fuqisë ruse dhe nëse përshtatja mund të pengojë që këto dobësi të bëhen vendimtare.
Ofensiva e shpejtë e dështuar dhe gara për t’u përshtatur
Problemet e Rusisë nisën me supozimet e saj. Shërbimet e inteligjencës së Putinit, tha Huminski, e kishin paraqitur Ukrainën si një shtet që pritej të shembej shpejt.
Në vend të kësaj, qëndresa ukrainase, dështimet operacionale ruse, ndihma perëndimore dhe përshtatja e shpejtë prodhuan një luftë krejt tjetër. Mbrojtja e Hostomelit, afër Kievit, ku forcat ukrainase zmbrapsën trupat elitare ajrore ruse, u bë një shembull i parë se si mund të zhbëheshin planet e Moskës. Taktikat e njësiteve të vogla dhe armët antitank perëndimore shfrytëzuan gjithashtu dobësitë e blindave ruse që përparonin.
Që atëherë, lufta është shndërruar në një garë të pandërprerë përshtatjeje. Dronët, lufta elektronike dhe goditjet me rreze të gjatë veprimi e kanë transformuar fushëbetejën, duke e bërë lëvizjen gjithnjë e më të rrezikshme dhe duke ndihmuar në krijimin e “zonës vrastare” të monitoruar nga afër përgjatë frontit.
Maria Snegovaya, studiuese e lartë për Rusinë dhe Euroazinë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me bazë në Uashington, tha për REL-in se Ukraina ka krijuar një hov të konsiderueshëm teknologjik dhe po përdor gjithnjë e më shumë dronë për të kompensuar, të paktën pjesërisht, mungesën e fuqisë njerëzore.
Ky avantazh është real, por ajo nuk e përshkroi si të përhershëm. Hovi teknologjik ka ndryshuar disa herë gjatë luftës, tha Snegovaya. Ukraina aktualisht është në epërsi sa u përket teknologjive të rëndësishme të dronëve, por Rusia është duke u barazuar vazhdimisht me të, ka zbërthyer dhe kopjuar inovacionet e suksesshme dhe ka zhvilluar kundërmasa.
Cikli po përshpejtohet: ajo që dikur kërkonte shumë më tepër kohë, tani po ndodh brenda pak muajsh. Prandaj, as Huminski dhe as Snegovaya nuk e shohin luftën si një histori të thjeshtë të shkëlqimit teknologjik ukrainas që mposht një ushtri ruse të vjetruar.
Të dy e përshkruajnë një përballje shumë më dinamike: Ukraina ka fituar një hov të rëndësishëm teknologjik dhe ka ekspozuar dobësi serioze ruse, ndërsa Rusia vazhdon të përshtatet dhe të përvetësojë mësimet e nxjerra nga fushëbeteja, edhe pse forcat e saj konvencionale tokësore po pësojnë dëme të rënda dhe humbje të jashtëzakonshme.
Koreja e Veriut po mbush boshllëqet
Partneriteti i Moskës me Phenianin është ndoshta ilustrimi më i qartë i kërkesave të jashtëzakonshme të kësaj lufte. Koreja e Veriut ka furnizuar me municione dhe raketa dhe ka dërguar trupa, disa prej të cilave u dislokuan në rajonin rus të Kurskut për të ndihmuar në zmbrapsjen e një inkursioni të befasishëm ukrainas në vitin 2024.
Por, Snegovaya tha se mbështetja e Rusisë në ndihmën e jashtme duhet të kuptohet në kuadër të përpjekjeve të saj të jashtëzakonshme për prodhim vendas.
Moska po zhvillon një luftë rraskapitëse, në të cilën humbjet shkojnë përtej fuqisë njerëzore, duke përfshirë municionet dhe sistemet e armëve. “Rusia në fakt ka qenë në gjendje të prodhojë shumë”, tha ajo, duke theksuar se Moska ka “rritur ndjeshëm prodhimin” e sistemeve, përfshirë dronët, pajisjet e luftës elektronike, mbrojtjen ajrore, tanket dhe raketat.
Por, industria ruse nuk e ka zgjidhur problemin e saj. Kërkesat e luftës janë aq të mëdha, tha Snegovaya, saqë edhe prodhimi i zgjeruar në mënyrë drastike nuk mund t’i përmbushë plotësisht nevojat e fushëbetejës apo t’i mundësojë Rusisë të krijojë rezerva të konsiderueshme. Kjo ndihmon për të shpjeguar rolin e Koresë së Veriut.
Huminski tha gjithashtu se trupat e Koresë së Veriut e ndihmojnë Moskën të menaxhojë një problem, politikisht të ndjeshëm, të fuqisë njerëzore. Përdorimi i tyre mund të mbajë pozicionet dhe të lirojë ushtarët rusë për detyra të tjera, pa e detyruar Putinin të urdhërojë një mobilizim të plotë, politikisht të rrezikshëm.
Prandaj, ky nuk është as një kolaps i thjeshtë ushtarak dhe as dëshmi e një ringritjeje ruse pa vështirësi. Rusia po përdor partnerë të huaj për të mbushur boshllëqe specifike, ndërsa përpiqet të ruajë dhe zgjerojë bazën e saj ushtarako-industriale.
Sipas Snegovayas, Kremlini vazhdon të zgjerojë objektet e prodhimit dhe të përgatitet për një luftë të gjatë. Por, kjo përpjekje shoqërohet me kosto në rritje. Sektori ushtarako-industrial i Rusisë financohet në masë të madhe nga shteti, ndërsa presioni ekonomik i vazhdimit të luftës vazhdon të rritet.
Ukraina ndryshoi llogaritjen, por dronët nuk e kanë fituar luftën
Ukraina hyri në luftë me një disavantazh të madh konvencional. Ajo nuk mund të përballej me Rusinë tank për tank, predhë për predhë apo ushtar për ushtar. Përgjigjja e saj ka qenë ndryshimi i llogaritjes së kostos.
Dronët e lirë dhe sistemet e tjera të zhvilluara me shpejtësi mund të kërcënojnë pajisje shumë më të shtrenjta dhe, tha Snegovaya, Ukraina ka qenë në gjendje t’i përdorë dronët për të kompensuar në një masë të konsiderueshme mungesën e ushtarëve.
Por, ajo theksoi gjithashtu kufijtë e këtij avantazhi. Dronët nuk i kanë bërë ushtarët të parëndësishëm dhe problemet e Ukrainës me ushtarët mbeten serioze. “Zona vrastare” mbrojtëse mund të ndihmojë në mbajtjen e vijës së frontit, por kjo nuk e ka fituar luftën.
Ndërkohë, Rusia po përshtat metodat e veta. Snegovaya e përshkroi një forcë që kombinon qasjet e stilit sovjetik dhe kapacitetin e trashëguar të prodhimit me dronët, luftën elektronike dhe praktikat e fushëbetejës që evoluojnë me shpejtësi.
Rusia po pëson humbje të jashtëzakonshme dhe po përballet me presion në rritje mbi ekonominë e saj. Por, ajo ruan disa avantazhe asimetrike, përfshirë kapacitetin për të përdorur dronë në numër shumë të madh, përvojën në përdorimin e tyre dhe një sasi të madhe të dhënash nga fushëbeteja, të grumbulluara nga njësitë luftarake dhe operatorët.
Vendet perëndimore “duhet jo vetëm të shohin se çfarë po bën Ukraina, por edhe t’i kushtojnë vëmendje asaj që po bën Rusia”, çfarë mësimesh po nxjerr dhe si po përshtatet, tha Huminski. “Nëse nuk e bëjmë këtë dhe thjesht e shohim atë si një forcë ruse të dobësuar në aspektin konvencional, kjo mund të na kthehet bumerang në të ardhmen”.
Novorosijsku tregon se si po zgjerohet lufta
Përshtatja teknologjike e Ukrainës po ndryshon gjithashtu gjeografinë e luftës.
Në Detin e Zi, Ukraina ka kërcënuar vazhdimisht forcat detare dhe infrastrukturën ruse, pavarësisht se e nisi konfliktin pa pasur asgjë që i afrohej një marine konvencionale të aftë për t’u përballur me flotën ruse. Ndërsa asetet ruse u zhvendosën larg Krimesë, aftësia e Ukrainës për të goditur Novorosijskun, qendrën e saj detare më në lindje, tregoi se largimi nga fronti nuk garanton siguri.
“Flota ruse, në këtë pikë, është padyshim shumë e rrezikuar kudo në Detin e Zi”, tha Snegovaya.
Rëndësia më e gjerë është strategjike.
Ukraina po e kombinon gjithnjë e më shumë përpjekjen e saj mbrojtëse në front me sulme në thellësi kundër objektivave ushtarake dhe të tjera brenda Rusisë, duke synuar të shkaktojë kosto përtej fushëbetejës.
Snegovaya tha se sulmet kanë ndihmuar në rritjen e ankthit brenda Rusisë dhe të kërkesave për përfundimin e luftës. Por, ajo paralajmëroi se opinioni publik luan vetëm një rol të kufizuar në vendimmarrjen e Kremlinit. Vendimtar mbetet Putini, jo opinioni publik.
Ukraina mund të ketë aktualisht hovin teknologjik, tha ajo, por Rusia po vazhdon të përgjigjet, përfshirë me dronë më të shpejtë me motor reaktiv dhe përpjekje për të kapërcyer kufizime të tjera teknologjike.
E dobësuar, por vdekjeprurëse
Masat e vjetra të fuqisë ushtarake janë sfiduar seriozisht nga lufta. Numri i tankeve dhe trupave para luftës nuk parashikoi dështimet e Rusisë në vitin 2022. Por, as humbjet e jashtëzakonshme të Rusisë nuk dëshmojnë se ajo ka pushuar së qeni një fuqi ushtarake e frikshme, paralajmërojnë ekspertët.
Ukraina ka shkatërruar mitin se numri i madh i forcave ruse, të vetme, e garantojnë fitoren. Ajo ka treguar se si qëndresa, inovacioni i shpejtë dhe teknologjia relativisht e lirë mund t’i mundësojnë një ushtrie më të vogël t’i shkaktojë kosto të jashtëzakonshme një ushtrie shumë më të madhe.
Megjithatë, Rusia ende ka burime dukshëm më të mëdha se Ukraina, një bazë të gjerë ushtarako-industriale, forca bërthamore të paprekura nga lufta dhe kapacitete ushtarake që shtrihen shumë përtej formacioneve tokësore, të goditura rëndë, që luftojnë në Ukrainë.
Kjo nuk do të thotë se Rusia po e fiton procesin e përshtatjes. Snegovaya theksoi se Ukraina aktualisht ka hovin teknologjik, ndërsa ekonomia dhe rrjeti ushtarako-industrial i Rusisë po përballen me presion në rritje. As nuk ka, tha ajo, një konsensus analitik nëse Rusia mund të quhet ende në mënyrë domethënëse ushtria e dytë më e fuqishme në botë.
Qëndrueshmëria e mbështetjes perëndimore për Ukrainën mund të jetë përfundimisht një nga faktorët më të rëndësishëm. Ukraina ka tejkaluar vazhdimisht peshën e saj, tha Snegovaya, por aftësia e saj për të vazhduar luftën mbetet e lidhur në mënyrë të rëndësishme me mbështetjen e jashtme financiare, teknologjike, të inteligjencës dhe ushtarake.
Përfundimi më i gjerë i Huminskit është se Rusia dhe Ukraina do të dalin nga kjo luftë si dy nga ushtritë më të sprovuara dhe më të kalitura në betejë në botë.
Ukraina e ka goditur rëndë ushtrinë ruse, ka shkatërruar sasi të mëdha të pajisjeve të saj dhe ka ekspozuar dobësi që Moska priste t’i fshihte pas reputacionit të saj për fuqi dërrmuese. Rusia po paguan një çmim të lartë për t’u përshtatur dhe është larg zgjidhjes së problemeve themelore që ka zbuluar lufta.
Nëse mësimet që Rusia po nxjerr janë të mjaftueshme për të kompensuar humbjet e saj - dhe nëse Ukraina mund ta ruajë ritmin e saj të jashtëzakonshëm të inovacionit - mund të ndikojë shumë në përcaktimin e rezultatit përfundimtar të luftës./ REL











Komente
Komento