Kostoja e dashurisë, sa i kushton “Shën Valentini” shqiptarëve? (VIDEO)

Puthje, përqafime, trëndafila, çokollata, një darkë romantike apo një unazë diamanti. Mund tju tingëllojë paksa e çuditshme por edhe dashuria kushton.  Duke marrë shkas nga 14 shkurti, Dita e Shën Valentinit që në Shqipëri, si çdo festë e “importuar”, ka marrë trajtë tjetër. Një vëzhgim i bërë nga Deada Hyka, gazetare e Revistës Monitor tregon se edhe çiftet shqiptare nuk e kalojnë këtë ditë vetëm me një trëndafil. 

Ashtu siç ndodh çdo vit, edhe këtë Shën Valentin, qindra çifte festuan në mënyra nga më të ndryshmet, ku zgjedhjet janë nga më të larmishmet. Përveç luleve, ëmbëlsirave, një darkë në një restorant dhe më pas dhurata. Ajo përfshin shumë sektorë, duke filluar nga kujdesi personal, deri te veshjet, udhëtimet, një kupon për t’u shpenzuar diku, bizhuteri etj. Më të privilegjuarat janë femrat, por nuk mungojnë edhe dhuratat për meshkujt.

Lulet, specifikisht trëndafili prej vitesh ka qenë mbreti i përzgjedhjes së të dashuriarve në këtë ditë. Por kemi një dukuri tjetër që ndodh në çdo 14- shkurt në Shqipëri, rritja e çmimeve. Në rast se një trëndafil kushton 250 lekë në një ditë normale, në 14 shkurt vlera e tij bëhet dyfish.  

Deada Hyka, gazetare revista "Monitor"

Deada Hyka, gazetare revista Monitor

Trëndafili është kurorëzuar prej vitesh si zgjedhja kryesore e dhuratave për Shën Valentin. Por vitet e fundit operatorët në këtë fushë pohojnë se përzgjedhja e luleve ka nisur të jetë më e sofistikuar.

Normalisht dihet që mbreti është trëndafili i kuq. Buqetat fillojnë nga 10 mijë lekë të vjetra deri në 100 mijë lekë të vjetra  

Lefter Bizhga, tregtar lulesh

Një ndër kërkesat në rritje për festën dashurisë, është arredimi i një ambienti si një surprizë në çift, qoftë një ambient i jashtëm apo edhe vetë shtëpia.

Ne kemi edhe klientë siç janë hotelet që bëjnë dekorime apostafat të dhomave duke e mbushur me petale apo duke kompozuar trëndafila

Lefter Bizhga, tregtar lulesh

Si një shërbim i ri dhe tepër në modë vitet e fundit, edhe fotografia ka nisur të përdoret si dhuratë për festën e të dashuruarve. Njëri nga partnerët i bën dhuratë tjetrit ose në çift një shërbim fotografik profesional.

Një trend i ri në Shqipëri vitet e fundit është fotografia. Edhe këtë Shën Valentin, kërkesa është rritur për këtë shërbim, me çmime që duket se gëlojnë edhe në këtë ditë. Nisin nga 4500 lekë deri në më shumë se 10 000 lekë të reja për çift.

Deada Hyka, gazetare revista Monitor

Megjithatë shumë nga ata që operojnë në fushën e shërbimeve fotografike thonë se shqiptarët nuk kanë reshtur ndër vite, sidomos të rinjtë, të bëjnë dhurata të personalizuara. Stampimi i një fotoje, një filxhan, një kornizë, një gdhendje etj., dhuratë e cila shkon deri në 2500 lekë.Kujdesi personal gjithmonë e më shumë po zë një vend shumë të rëndësishëm në shpenzimet e vajzave dhe grave. E veçanërisht për festa si në rastin e 14 shkurtit, shumë prej tyre kërkojnë një dhuratë që do ti bënte të ndiheshin më të bukura.

Kujdesi personal zë një vend shumë të rëndësishëm në dhuratat që bëhen për Shën Valentin, ndoshta sepse është edhe një preferencë e rritur dhe e kërkuar nga femrat. Kërkesa shumë të larta ka patur në qendra të ndryshme estetike në Tiranë, sidomos në paketat e personalizuara në çift. Sipas vëzhgimeve të bëra nëpër biznese që operojnë në këtë sektor, çmimet variojnë në rreth 6 mijë lekë të reja për çiftin, por që ndryshojnë në varësi të kërkesave.

Deada Hyka, gazetare revista Monitor

Përfaqësues të Qendrave estetike apo edhe klinikat profesionale pohojnë se gjithnjë e më shumë, burrat kërkojnë tu dhurojnë partnereve të tyre shërbime të ndryshme në këtë fushë, që nga trajtimet e thjeshta e deri tek heqja e celulitit. 

Kohët e fundit kemi vënë re që meshkujt i duan partneret e tyre sa më të kuruara. Sidomos për festën e Shën Valentinit vihet re që meshkujt bëjnë më shumë dhurata për partneret e tyre. Ata vijnë dhe blejnë paketa , paguajnë vlerën dhe më pas partneret vijnë me kuponin për të përfituar shërbimin.

Enxhi Cara, menaxhere Vip line.


Festa e Shën Valentinit, sipas përfaqësuesve të shumë dyqaneve të shitjeve me pakicë, shërben si periudhë për të ofruar ulje të mëdha në veshje dhe këpucë., duke qenë se çiftet shpesh zgjedhin këto lloj dhuratash.Oferta të shumta prej ditësh “bombardojnë” rrjetet sociale por edhe reklamat në televizione të ndryshme, për formën se si një çift duhet ta kalojë Ditën e Shën Valentinit.Veç kryeqytetit, vihet re edhe kërkesa në rritje për të kaluar një natë romantike në hotelet e bregdetit, megjithë temperaturat e ulëta, pasi shumë çifte preferojnë të zgjohen buzë detit.Një tjetër mënyrë për të festuar këtë ditë dhe shumë e preferuar madje janë udhëtimet në çift, ku ke mundësinë të largohesh nga rutina e përditshme e të shijosh magjinë e dashurisë vetëm me njeriun e zemrës.Natyrshëm që një Shën Valentin në një sfond tërësisht të bardhë ngjan me një skenë filmi, që shumë çifte kanë dëshirë ta përjetojnë. Por edhe udhëtimet kushtojnë..

Ndryshimet kanë filluar përsa i përket destinacioneve të largëta. Gjithashtu edhe destinacionet e Seyshelles dhe Mauritius kanë pasur kërkesa të shumta. Megjithatë vëmendjen e marrin destinacionet e rajonit dhe ato me borë meqënëse edhe stina e lejon. Paketat si çmime variojnë nga 150 euro përsa i përket rajonit dhe më shumë se 3000 euro për sa i përket vendeve si Seyshelle dhe Mauritius.

Andi Gorenca, Koordinator Marketingu VAS TOUR

Ndërkaq shumë të kushtueshme janë dhe bizhuteritë të cilat mund të konsiderohen pa frikë ‘mbretëresha’ e përzgjedhjes së dhuratave, në ditën e të dashuruarve.

Por ka nga ata që për Shën Valentin dhurojnë kuponë për palestër, pasi nuk janë fort të kënaqur me format trupore të partnerit apo partneres. Disa palestra në kryeqytet tregojnë se kanë pasur flukse prenotimesh përpara javës së 14 shkurtit. Çmimi i një kuponi të tillë varion 2500-4500 lekë në muaj.Nje kupon për palestër nuk është tashmë një dhuratë e çuditshme pasi vitet e fundit, kërkesat janë sofisitikuar veçanërisht nga gratë.

Këtë vit kanë qenë të habitshme edhe shërbimet kirurgjikale. Mund tju duket e paimagjinueshme, por ka nga ata që preferojnë të dhurojnë për Shën Valentin një ndërhyrje për hundën ose buzët. Në disa klinika në kryeqytet ka pasur paketa promocionale si 150 euro/filler i buzëve që ka tërhequr vëmndjen për t’u konsideruar si dhuratë dashurie.

Për shumë çifte, Dita e Shën Valentinit është një datë e rëndësishme në kalendarin e tyre, pasi bëhet fjalë për një festë për dashurinë, çka nënkupton prenotime udhëtimesh romantike, darka të shijshme në restorantet më të mira, apo shkëmbime dhuratash të veçanta. Sa u përket sektorëve që përfitojnë nga kjo festë, do të thotë burim të ardhurash, p.sh. restorantet, bizhuteritë dhe industrisë turistike. Jo të gjithë kanë të njëjtin buxhet për Ditën e Shën Valentinit. Shpenzimet e ndryshojnë midis burrave dhe grave, moshës, madje edhe shteteve. Po në Shqipëri, sa shpezohet për Shën Valentin?

Zakonet e shpenzimeve të ditës së Shën Valentinit ndryshojnë edhe në bazë të fazës së një marrëdhënieje dhe vendndodhjes. Një anketë e LendingTree tregon se çiftet e reja janë më bujare kur bëhet fjalë për shpenzimet në Ditën e Shën Valentinit, në krahasim me çiftet e martuara. Ka dhe nga ata që festojnë një ditë pas Ditës së Shën Valentinit pikërisht për të ulur koston. Por siç thonë dhe ekspertët, e rëndësishme në dashuri nuk është sa shpenzoni në para, por sa kohë harxhoni për të komunikuar dhe qëndruar pranë njëri tjetrit.

b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Liverpool marshon drejt trofeut, përmbys 3-1 Leicesterin

VIDEO/ Liverpool marshon drejt trofeut, përmbys 3-1 Leicesterin