TIRANE - Kozara Kati, drejtorja e Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut e ftuar gjatë pasdites së sotme në studion e Tv A1 Report, foli në lidhje me grevën e ish të burgosurve politik dhe përfundimin në mënyrë të papritur të saj. Pavarësisht këtij fakti, ajo u shpreh se ish të burgosurit politik ngritën një kauzë që sensibilizoi opinionin publik. Duke iu referuar kësaj shprehie, Kati i cilësoi fitues grevistët edhe pse askush nga organet kompetente nuk u ul për të dëgjuar kërkesat e tyre. E pyetur nga gazetarja Mira Kazhani, nëse vlen apo jo të bëhen demonstrime të tilla, Kozara Kati u shpreh se “është një e drejtë tyre”.

Kati përmendi gjatë bisedës me gazetaren edhe faktin që asnjë thirrje për dialog nga ndërkombëtarët nuk u dëgjua nga pala shqiptare. Drejtoria e Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut përmendi edhe rastin e organizatës me famë botërore Amnesty International e cila në një shkrim publik i bëri thirrje qeverisë shqiptare për të marrë në konsideratë kërkesat e ish të burgosurve politik e t’i dëmshpërblente ata menjëherë. Kati theksoi se as ky prononcim nuk u mor parasysh.

Pyetjes se për ç'motive mund t’i jetë dhënë fund grevës, Kati iu përgjigj se ndoshta pesimizmi me të cilin grevistët filluan të shihnin këtë situatë i çoi drejt një vendimi të tillë. “Ata e shihnin me pesimizëm situtatë, sepse panë se mund të dilnin të sëmurë e më tej s’mund të lejoheshin t’i riktheheshin grevës”.

Kati rrëfen më tej se nga bashkëbisedimet që ka pasur me grevistët që prej fillimit të këtij misioni, në çadrat e urisë ka pasur ndërhyrje gjatë natës nga persona civil, të cilët i nxirrnin lëngjet e sheqerin jashtë tyre. “Modalitetet e një greve i vendosin vetë grevistët. Në këtë rast iu shkelën të drejtat e tyre. Më treguan se 3-4 persona civil kanë hyrë në çadra dhe kanë marrë çajin, sheqerin edhe kafen. Glukoza i mbante gjallë ata dhe ja morën”, tha Kozara Kati në studion e Tv A1 Report.

"Ky rast duhet të jetë një kazus, vijon Kati, pavarësisht se këtë nismë e mori një grup me 20 veta të ish të përndjekurve, mund edhe të ishin në gabim po askush nuk foli për t’i thënë që këtu keni të drejtë e këtu jo, ata ishin të gatshëm të dialogonin”. Duke iu referuar etiketimeve që kryeministri Berisha ka bërë ndaj tyre, Kati shtoi: Ata kanë kaluar trauma të pallogaritshme në burgje, nuk mund t’i gjykojmë ata për shfaqjen e tyre në shoqëri, pasi nuk kanë arritur dot as të shkollojnë fëmijët e tyre, s’mund t’i etiketojmë si plehra.”

Kozara Kati, drejtorja e Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut është solidarizuar me grevën e ish të burgosurve politik që prej fillimit të saj. Duke qenë edhe vetë pjesë e kësaj kategorie njerëzish të persekutuar, Kati shprehet se është në interes të kësaj kauze, pra që të bëhet kompensimi. Ajo rrëfen gjithashtu se e priti mjaft e befasuar vendimin e sotëm, ku pas plot një muaji në grevë urie në mbrojtje të kërkesave të tyre, ish të burgosurit politik sot i dhanë fund pa rënien në kompromis për plotësimin e tyre.

(Gre.M/Shqiptarja.com)