Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka konfirmuar në detyrë gjyqtarin Gerd Hoxha. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 3 qershor 2021 konfirmimin në detyrë të Gerd Hoxhës, duke konstatuar se nuk ka probleme në tre shtyllat e verifikimit si ana profesionale, aspekti i pastërtisë së figurës dhe pasurisë. Por kjo nuk ka bindur vëzhguesit ndërkombëtar të ONM, të cilët kanë kërkuar sot ankimimin e vendimit përmes Komisionerit Publik.

Konfirmimi i Gerd Hoxhës u kundërshtua nga përfaqësuesi i ONM, Theo Jacobs i cili teksa theksoi se drejtësia duhet të bazohet në fakte nënvizoi se kjo nuk është drejtësia që meritojnë shqiptarët e as Apeli. Po pavarësisht ndërhyrjes së tij, në seancën e Apelit nuk pati debate, pas deklaratës së tij gjyqtarja tha se vendimi ishte marrë.

'Në emër të  shërbimit ndërkombëtar e kundërshtoj që ky vendim të ketë fuqi. Drejtësia është një gjë që shërbehet ky veprimet bazohen në fakte. Kolegji i Posaçëm i Apelit dhe shqiptarët meritojnë më tepër se ky vendim.'- tha Theo Jacobs.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u paraqiti Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për gjyqtarin Gerd Hoxha. 

Komisioneri Publik, Darjel Sina u qëndroi të gjitha shkaqeve të ankimit, duke e konsideruar jo të plotë dhe në përputhje me provat, hetimin e kryer në shkallën e parë të vettingut. Ai e cilësoi vendimin e KPK të cenueshëm dhe kërkoi rivlerësimin e pasurive, hetimin e mëtejshëm të tyre si dhe rikryerjen e analizës financiare.

Sipas ONM një apartament me sipërfaqe 125 m2 në Tiranë në vitin 2011, në bashkëpronësi me ish-bashkëshorten, subjekti ka deklaruar se ka paguar individualisht shumën 6.5 milionë lekë. Hoxha ka sqaruar se gjysma e apartamentit i është dhuruar ish-bashkëshortes nga pala shitëse, për shkak të marrëdhënies së posaçme mes tyre.

Vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs vërejti se në vitin 2011 rezultonte një rivlerësim i apartamentit në shumën 23 milionë lekë. Sipas tij, dukej se pala shitëse i kishte dhuruar një vlerë 5 milionë lekë edhe vetë subjektit të rivlerësimit. Hoxha e kundërshtoi këtë konstatim duke theksuar faktin se nuk bënte pjesë në shkaqet e ngritura në ankimin e Komisionerit.

Ai kundërshtoi edhe konstatimin se e kishte përdorur banesën përpara deklarimit. Si argument për këtë pretendim, Hoxha solli në vëmendje aktet e dorëzuara për marrjen e kredisë kur rezultonte se apartamenti kishte qenë i pabanueshëm.