Në Komisionet parlamentare vijon diskutimi i projektligjit të socialistëve për pagat e magjistratëve, ku janë thirrur për seanca dëgjimore drejtues të institucioneve të drejtësisë. KLGJ, KLP, Gjykata e Lartë e institucione të tjera e kundërshtojnë propozimin e mazhorancës, pasi sipas tyre e shkel vendimin e Kushtetueses.

“Nuk jemi njohur me detaje, por rritja është minimale, ka një diferencë të madhe me vendimin tonë, nuk reflekton standardin e vendosur nga gjykata kushtetuese”, tha kryetarja e KLP Mirela Bogdani.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, jo orientim, por detyrim, ka caktuar detyrimin dhe afatin, e më tej pasojat. Gjykata e Lartë nuk kundërshton në parim që ligjvënësi të propozojë një referencë të re, por ajo që keni propozuar ju, nuk e realizon plotësisht standardin e vendosur nga gjk, ne propozojmë një mekanizëm që sjell respektimin real të Gjykatës Kushtetuese”, tha zv. kryetari i Gjykatës së Lartë Ilir Panda, në komisionin e ligjeve.

Qëndrimit të tyre i është bashkuar edhe Partia Demokratike. Nismë antikushtetuese të Partisë Socialiste e quajti kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi, teksa foli në komisionin e të Drejtave të Njeriut.

“Me këtë ligj që keni sjellë ju, do të vijmë prapë këtu, sepse ligji do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese dhe do ta rrëzojë sërish atë. Sepse ky propozim është në shkelje të hapur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, jo vetëm duke mos e reflektuar atë, por duke bërë të kundërtën e asaj që kërkohet. Kur kemi bërë reformën në drejtësi, kemi qenë të qartë se duhet t’i kthejmë integritetin gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ne nuk mund t’i trajtojmë sot si lëmoshë. Në fund fare, ne duhet t’i trajtojmë ata minimalisht si veten.

Ne ia rritëm rrogën vetes pak vite më parë me rreth 50%, kryeministrit me më shumë se 60%, ministrave me më shumë se 60%. Ne na paguhet nafta, telefoni dhe gjithçka tjetër. Nuk mund të bëhet krahasim me deputetët apo ministrat. Po, një gjyqtar duhet ta kalojë edhe deputetin, edhe ministrin, edhe presidentin. Çfarë bën Bajram Begaj që rri kot në zyrë dhe nuk mund të marrëka më shumë një magjistrat? Janë këta gjyqtarë që janë përballë krimit dhe japin dënime me burgim të përjetshëm. Prandaj meritojnë integritet dhe, e përsëris, nuk mund t’i trajtojmë për lëmoshë.”, tha Bardhi.

Qeveria, përmes ministrit të Drejtësisë Toni Gogu, i cili kritikoi Kuvendin për vonesën, tha se drafti zgjidh situatën.

“Është një çështje shumë e rëndësishme. Kuvendi e humbi afatin e 31 korrikut, kjo është një gjë që nuk ka nevojë të justifikohemi. Bylykbashi ngriti disa pikëpyetje për rolin ligjvënës, dhe ne jemi të hapur për përgjegjësinë që na takon për këtë proces.

Dua të them një gjë shkoqur, nuk besoj se vonesa e Kuvendit të sillte përplasje mes pushteteve. Edhe projektligji që vjen bën pikërisht këtë gjë, një ndreqje të një gabimi që është bërë. Thelbi është te pyetja se kush duhet të vendosë për pagat? Dhe këtë e thotë vetë Gjykata Kushtetuese, që e vendos vetë Kuvendi dhe e vendos me ligj”, tha Gogu.

Ashtu siç kishte paralajmëruar, mazhoranca po shkon drejt miratimit të një formule për pagat e magjistrave në seancën e ardhshme, më 17 shtator. Në komisione parlamentare ka nisur diskutimi i projektligjit të propozuar nga socialistët, që paga referuese e magjistratëve të rritet nga 36 në 38% të pagës së Presidentit të Republikës.

Pritet që të jetë pikërisht ky propozim që do të miratohet, me qeverinë që ka dhënë dakordësinë përmes Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave.  Drafti i PS parashikon një rritje me rreth 8500 lekë për rrogën referuese të magjistratëve, ndërkohë që pretendimi i tyre, i miratuar edhe nga KLGJ e KLP, është 9-fish më i lartë, rreth 80 mijë lekë më e lartë.

Report Tv ka siguruar edhe mendimin zyrtar që Këshilli i Ministrave i ka dërguar Kuvendit. Qeveria përllogarit rreth 1.5 miliardë lekë detyrime të prapambetura nga prilli 2023, periudhë nga e cila Kushtetuesja kërkon efektet financiare. Për shkak të kostos, propozon që shuma të mos paguhet menjëherë, por me këste brenda dy viteve.

Lajmi në përditësim....

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:35
Pagat e magjistratëve/ Gjykata e Lartë kundër formulës së PS: Nuk e realizon standardin e vendosur nga Kushtetuesja, vendimi është i detyrueshëm për zbatim

Edhe Gjykata e Lartë kundërshton formulën e propozuar nga socialistët për pagat e magjistratëve. Në Komisionin e Ligjeve, zv.kryetari Ilir Panda tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është një orientim, por detyrim për ligjvënësin, ndërsa formula që e çon pagën referuese nga 36 në 38% të pagës së Presidentit nuk e realizon plotësisht standardin e vendosur prej saj. Gjykata e Lartë thotë se duhet një mekanizëm tjetër që do të garantonte zbatimin real të vendimit të Kushtetueses.

“Gjykata e Lartë e vlerëson të nevojshme ndërhyrjen ligjore pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Çështja nuk është nëse Kuvendi duhet të ndërhyjë, por nëse zgjidhja e propozuar realizon standardet detyruese që lindin nga vendimi i Kushtetueses, i cili nuk përbën orientim, por detyrim për ligjvënësin. Kushtetuesja ka konstatuar papajtueshmërinë e skemës ekzistuese dhe ka përcaktuar edhe një afat për ndërhyrjen e Kuvendit. Projektligji duhet vlerësuar jo vetëm si një zgjedhje e re, por si zbatim i një vendimi përfundimtar dhe detyrues të Gjykatës Kushtetuese.

Problemi kryesor është paga referuese prej 0.38 të pagës së Presidentit. Gjykata e Lartë nuk e kundërshton në parim mundësinë që ligjvënësi të zgjedhë një referencë të re, por problemi qëndron te rezultati konkret i formulës së propozuar. Sipas Gjykatës së Lartë, kjo nuk e realizon standardin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese, për arsye se Kushtetuesja ka kërkuar një referencë dinamike, të lidhur me një pagë që rritet herë pas here dhe që ruan nivelin e mbrojtjes financiare të magjistratit. Për këtë arsye, Gjykata e Lartë propozon që ligji të mos fiksojë koeficientin 0.38, por të caktojë një mekanizëm që garanton standardin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe ruajtjen reale të nivelit të pagës.

Gjykata e Lartë kërkon që formula prej 0.38 të rishikohet, në mënyrë që paga referuese të përmbushë standardin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese; të bëhet një ndarje e qartë e rregullimit për të ardhmen nga pagesat e prapambetura, për të cilat pasoja juridike është prodhuar pas datës 31 korrik; si dhe të shmangen efektet automatike mbi funksionarët e tjerë publikë.

Kuvendi ka hapësirë për të zgjedhur formulën, por jo për të mos zbatuar standardin kushtetues. Ligji i ri duhet ta zgjidhë çështjen për të ardhmen, por pa fshirë pasojën e vendimit të Kushtetueses. Qëllimi nuk është miratimi i një ligji, por miratimi i një ligji që zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha zv.kryetari i Gjykatës së Lartë, Ilir Panda.

Ora 14:10
Pagat e magjistratëve/ KLP kundër draftit të PS: Rritje minimale, nuk reflekton standardin e Kushtetueses

1789474301_mirelabogdani.JPG

Në Komisionin e Ligjeve po shqyrtohet drafti i PS-së për pagat e magjistratëve, me seanca dëgjimore me drejtuesit e institucioneve të drejtësisë. Kryetarja e KLP-së, Mirela Bogdani, kundërshtoi formulën e propozuar nga socialistët, duke e cilësuar rritjen minimale dhe shumë larg përllogaritjes së bërë nga vetë Këshilli. Drafti i PS parashikon një rritje me rreth 8500 lekë për rrogën referuese të magjistratëve, ndërkohë që pretendimi i tyre, i miratuar edhe nga KLGJ e KLP, është 9-fish më i lartë, rreth 80 mijë lekë më e lartë.

“Këshilli ka vlerësuar se, në një ndërhyrje në sistemin e pagave të magjistratëve, duhet të shihet oportuniteti për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm, jo thjesht një ndërhyrje për të përmbushur formalisht detyrimin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese. Në vijim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi ka kaluar edhe afati i 31 korrikut, Këshilli ka diskutuar në seanca se ku duhet të jetë paga referuese.

Pavarësisht kësaj, ne ndonëse nuk jemi njohur në detaje me projektligjin që është kaluar dje nga Komisioni i Ekonomisë, në referim të atij informacioni që kemi marrë për një rritje 0.02%, pra një rritje që është minimale krahasuar me atë që ka përllogaritur vetë Këshilli, do të thoja se ka një diferencë shumë të madhe. Nuk reflekton standardin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese dhe standardin që vetë referimi i pagave ka bërë për sistemin e administratës shtetërore”, u shpreh Mirela Bogdani duke theksuar vendimi i Kushtetueses është i detyrueshëm për zbatim.