Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot në mënyrë unanime shkarkimin e prokurorit Gëzim Çopa për balanca të mëdha negative të pasurisë, duke rrëzuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që e pati konfirmuar në detyrë më 22 shkurt 2024.

Gëzim Çopa filloi punë si oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Tiranës në vitin 2005 dhe më pas në vitet 2009-2014 punoi në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI në detyrën e ndihmës inspektorit dhe më pas si sekretar i Përgjithshëm.

Ai është emëruar prokuror në vitin 2015, fillimisht në Pukë dhe më pas në Prokurorinë e Kavajës. Aktualisht e ushtronte funksionin në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm të Durrësit.

Njoftimi i KPA:

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Ina Rama, Mimoza Tasi, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 18/2024, datë 24.05.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 738, datë 22.02.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Gëzim Çopa.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Ndryshimin e vendimit nr. 738, datë 22.02.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit  dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Gëzim Çopa. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall sot, më datë 16.12.2025, në Tiranë.