Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, njoftoi mbrëmjen e së mërkurës ndryshimin e vendimit të Komisionit për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Tiranës, Lazër Çardaku, dhe e konfirmoi atë në detyrë. Vendimi u mor me shumicë votash nga trupi gjykues i Kolegjit, i kryesuar nga Natasha Mulaj, me relator Sokol Çomo dhe anëtare Albana Shtylla, Ina Rama dhe Mimoza Tasi, pas gjykimit në dhomë këshillimi të ankimit të Çardakut ndaj vendimmarrjes së Komisionit.
Vendimi i KPA është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
Prokurori i Tiranës, Lazër Çardaku, u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, më 8 nëntor 2024 për probleme në kriterin e pasurisë, që në vlerësimin tërësor u konsideruan se e vendosnin në kushtet e cenimit të besimit të publikut te drejtësia. Ndërkohë, Çardaku u vlerësua i besueshëm në kriterin e figurës dhe se kishte arritur nivelin minimal kualifikues për profesionalizmin.
Lazër Çardaku e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 si oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Pukës dhe në vitin 1999 u emërua si prokuror në Shkodër. Ai drejtoi Prokurorinë e Matit në vitet 2008–2012 dhe më pas e ushtroi funksionin edhe në Apel. Aktualisht e kryen detyrën pranë Prokurorisë së Tiranës.
Komente



