Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot lënien në fuqi të vendimit të konfirmimit në detyrë të KPK-së, për ndihmësen ligjore të Gjykatës Administrative të Apelit, Jurida Bajraktari.
Drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, gjatë konkluzioneve përfundimtare në Kolegj pati deklaruar se Bajraktari nuk arriti të provonte të kundërtën e gjetjeve lidhur me pasurinë e profesionalizmin dhe kërkoi shkarkimin e saj për cënim të besimit të publikut te drejtësia.
Kolegji e rrëzoi si të pabazuar ankimin e drejtuesit të SPAK, duke e konfirmuar në detyrë ndihmësen ligjore.
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Ina Rama relatore, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 701, datë 25.09.2023, që i përket subjektit të rivlerësimit Jurida Bajraktari”, thuhet në njoftimin e KPA-së.
Bajraktari ka filluar punë në Gjykatën Administrative të Apelit në prill të vitit 2016 dhe kishte plotësuar deklaratat për efekt të vetingut në janar 2017. Më herët, ajo kishte punuar si juriste në kompani private, si dhe ka deklaruar se kishte dhënë ndihmë juridike vullnetare.
Komente










