Ish-gjyqtari i Lezhës, Artan Hajredinaj, ka humbur edhe përpjekjen e fundit për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë, kjo sepse Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të mërkurën të mos pranojë kërkesën e tij për rishikimin e vendimit me të cilin u shkarkua përfundimisht nga detyra një vit më parë.
Vendimi u mor unanimisht nga trupi gjykues i përbërë nga Mimoza Tasi kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz anëtare. KPA njoftoi se kërkesa e Hajredinajt për rishikimin e vendimit të 14 majit 2025 nuk u pranua, bazuar në nenin 498 të Kodit të Procedurës Civile.
Më 14 maj 2025, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ndryshoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e kishte konfirmuar në detyrë Hajredinajn, dhe vendosi shkarkimin e tij nga sistemi i drejtësisë.
KPA arriti në përfundimin se gjyqtari nuk kishte provuar bindshëm burimet financiare për disa pasuri, kishte bërë deklarime kontradiktore për një apartament në Tiranë dhe për të ardhura të përfituara nga transaksione të ndryshme pasurore. Po ashtu, Kolegji vlerësoi se ai nuk kishte deklaruar posedimin e një apartamenti në Bajram Curri, të regjistruar në emër të motrës së tij.
Në vendimin e vitit të kaluar, KPA konstatoi deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë, si dhe vlerësoi se gjetjet e konstatuara cenonin besimin e publikut te drejtësia. Përveç problemeve në kriterin e pasurisë, Kolegji evidentoi edhe mangësi në aspektin profesional.
Me mospranimin e kërkesës për rishikim, vendimi për shkarkimin e Artan Hajredinajt mbetet përfundimtar.
Njoftim vendimi
"Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Mimoza Tasi kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz anëtare, shqyrtoi në dhomë këshillimi çështjen me nr. 6-24/2024 (JR), datë 09.04.2026, që i përket kërkesës së paraqitur nga z. Artan Hajredinaj për rishikimin e vendimit (JR) nr. 39, datë 14.05.2025 të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Pas shqyrtimit të kërkesës, trupi gjykues, bazuar në nenin 498, pika 1, e Kodit të Procedurës Civile, në mënyrë unanime, vendosi:
Mospranimin e kërkesës së kërkuesit Artan Hajredinaj për rishikimin e vendimit nr. 39 (JR), datë 14.05.2025 të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 03.06.2026."
Komente





