KPK konfirmon në detyrë prokuroren e Lushnjes, ONM kërkon ‘kokën’ e saj! Komisioneri publik: Do ankimojmë vendimin

KPK konfirmon në detyrë prokuroren e Lushnjes, ONM kërkon ‘kokën’ e saj! Komisioneri publik: Do ankimojmë vendimin

Prokurorja e Lushnjes Natasha Prifti

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka konfirmuar në detyrë Natasha Priftin prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Lushnjë. Ky vendim do të ankimohet nga Komisioneri publik

Në njoftimin për shtyp bëhet me dije se Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Komisionerët Publikë theksojnë në njoftim se janë duke shqyrtuar, në të njëjtën kohë, vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Natasha Prifti (Shallapi) përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe pas një periudhe stazhi në Fier u emërua prokurore në Prokurorinë e Gjirokastrës. Prej vitit 2012, ajo e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Lushnje.

Trupa gjykuese në KPK ka vënë në dukje se nga hetimi kishin rezultuar disa pasaktësi në deklarime dhe disa vite me mungesë burimesh të ligjshme. Siç rezultoi shumica e problemeve, për të cilat prokurores i ishin kërkuar më pas shpjegime kishin të bënin me kursimet prej 4 milion lekësh cash të deklaruara prej bashkëshortit në vitin 2013, një vit pas fillimit të bashkëjetesës. Po ashtu problem rezultonin të paktën 7 transaksione me makina nga bashkëshorti dhe disa deklarime të pasakta në vite.

Njoftimi i Komisionerit publik:

Në datën 28.5.2021, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Natasha Prifti (Shallapi), me detyrë prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Lushnjë.

Vendimi nr. 392, datë 28.5.2021, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, iu njoftua Komisionerëve Publikë më datë 8.9.2021. Po sot, më datë 8.9.2021, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar, në të njëjtën kohë, vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Rekomandimi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është publikuar në faqen zyrtare të Institucionit të Komisionerëve Publikë: http://ikp.al/rekomandime/. Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ilija kote: 09/09/2021 08:35

    Jam pro eshte zonje grua,e respektuar nga te gjith,eshte Korrekte dhe komunikushme

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Moti i keq në Korçë/ Policia: Gatishmëri në të gjitha akset, janë të kalueshme pavarësisht borës! Ja këshillat për shoferët

Moti i keq në Korçë/ Policia: Gatishmëri në të gjitha akset, janë të kalueshme pavarësisht borës! Ja këshillat për shoferët