Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka pushuar procesin e rivlerësimit për 7 subjekte, të cilët më parë kanë dhënë dorëheqjet në detyrat përkatëse, duke i shpëtuar kështu procesit të Vettingut.

Bëhet fjalë për gjyqtarë, prokurorë dhe ndihmës ligjorë të gjykatës së Lartë, të cilët nuk do të kalojnë në filtrin e Vettingut, ku mes tyre spikat edhe emri i gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Mirela Fana.

Vendimi për 7 subjektet është marrë që më datë 23 mars, ndërsa ka e qenë e njëjta trupë gjykuese e komisionit e përbërë nga Genta Tafa (Bungo), Roland Ilia dhe Xhensila Pine që ka vendosur ndërprerjen e rivlerësimit për ta.

Burime pranë KPK-s bënë me dije për Report tv se vendimi për ndërprerjen e Vttingut do të bëhet publik dhe për gjyqtarët e tjerë të dorëhequr para nisjes së këtij procesi.

Më herët KPK ka ndërprerë procesin e Vettingut edhe për ish kreun e prokurorisë së Përgjithshme Adriatik Llalla dhe ish anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imerajn.  Pak ditë më parë KPK mori dhe vendimin e parë për shkarkimin e gjyqtarit kushtetues Fatos Lulaj nga detyra me argumentin se ky i fundit nuk justifikonte pasurinë.

Subjektet që i shpëtuan Vettingut

Erlind Basha: Ndihmës ligjore pranë Gjykatës së Lartë, ka dhënë dorëheqjen

Ilir Pashaj: Gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Elbasan,  ka dhënë dorëheqjen në shkur të vitit të kaluar

Etleva Sherifi: Ndihmës ligjore pranë Gjykatës së Lartë,  në mars të vitit të kaluar ka dhënë dorëheqjen

Adnand Bërdica: Ndihmës ligjor pranë Gjykatës së Lartë, ka dhënë dorëheqjen

 Mirela Fana: Gjyqtare pranë Gjykatës së Lartë, ka dhënë dorëheqjen

Sulejman Tola: Prokuror në prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallë së Parë Krujë ka dhënë dorëheqjen

Ertian Shehu: Ndihmës ligjor pranë Gjykatës së Lartë, ka dhënë dorëheqjen