Prokurorja e Shkodrës Besa Nikëhasani, është e para përfaqësuese e organit të akuzës në Shqipëri që shkarkohet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Organi i Vettningut shpalli sot vendimin, duke argumentuar se prokurorja nuk justifikonte zotërimin e 2 apartamenteve, 2 garazheve dhe një veture tip fuoristradë me vlerë 20 mijë euro.

Prokurorja e duartrokiti me ironi në sallë vendimin, ndërsa jashtë sallës u shpreh tepër e revoltuar para mediave.

Me zërin që i dridhej, ajo tha se nuk e ka kryer shkelje në asnjë dosje dhe se priste të shihte të arsyetuar vendimin e KPK-së, të cilin tha se do ta apelonte.

Nikëhasani u shpreh e befasuar nga vendimi dhe tha se nuk e kishte pritur.

Lidhur me automjetin e saj me vlerë 20 mijë euro, ajo tha se ishte detyruar ta blinte për shkak se e kishte ushtruar detyrën për një kohë të gjatë larg vendbanimit të saj, ndërsa apartamentet ajo tha se i kishte përfituar nga ndërtimi i një pallati në pronën e bashkëshortit të saj.