Në takim u diskutua edhe në lidhje me KQZ-në dhe nevojën për plotësimin e vendeve në të dhe zyra e shtypit informon se Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë që kjo çështje të zgjidhet sa me shpejt në zbatim të Kodit Zgjedhor. Sipas Berishës opozita ka 2 variante:
Anëtarët e dorëhequr mund të rikthehen në detyrë pasi parlamentin nuk ka marre ende vendim
Opozita te dërgojë kandidatura të reja në Kuvend, dhe me 30 maj mazhoranca është gati ti votojë.
"Në kushtet kur Kuvendi nuk ka marrë ende vendim për të pranuar dorëheqjet dhe shpallur vakancat e tri vendeve të opozitës në KQZ, anëtarët e dorëhequr mund të rikthehen në detyrë menjëherë. Si alternativë, Kryeministri theksoi se mazhoranca është e gatshme që, nëse opozita dërgon kandidatura të reja në Kuvend, t'i votojë ato në seancën e jashtëzakonshme të datës 30 maj"'- thuhet në njoftimin për shtyp.
Siç bën të ditur faqja zyrtare online e Kryeministrisë, kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen Moore dhe e falenderoi për ndihmën e jashtëzakonshme që qeveria e Shteteve të Bashkuara i ka dhënë vazhdimisht Shqipërisë. Moore e falenderoi Kryeministrin për pritjen në këtë fazë të rëndësishme të fushatës zgjedhore dhe shprehu interesin e madh me të cilin SHBA ndjekin procesin zgjedhor.
Në takim drejtori i Zyrës për Çështjet e Europës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit te Shteteve të Bashkuara, Jonathan Moore shoqërohej nga ambasadori Aleksandër Arvizu.
BERISHA; FUSHATË E CIVILIZUAR, TË NJIHET REZULTATI
Kryeministri Berisha nënvizoi se fushata zgjedhore ka filluar prej mëse dy muajsh dhe ka qenë një fushatë e civilizuar dhe me ecuri normale. Ai shprehu bindjen se të gjitha partitë kanë interes dhe mbështesin një proces zgjedhor me standardet më të larta dhe e garantoi Moore se mazhoranca ka bërë dhe do të bëjë gjithçka për të siguruar këto standarde për zgjedhjet e 23 qershorit.
Kryeministri e njohu shkurtimisht Moore me përgatitjet zgjedhore, ku vuri theksin në përmirësimin e madh të kornizës ligjore, infrastrukturës së votimit dhe asaj të numërimit. Ai shprehu kënaqësinë e madhe për angazhimin e madh të faktorit ndërkombëtar, e veçanërisht të SHBA në dërgimin e numrit më të madh të mundshëm të vëzhguesve.
"Një mision i fortë vëzhgimi i përbërë OSBE/ODIHR, shtetet antare të OSBE, Këshilli i Evropës, Parlamenti Evropian, etj, është një garanci e madhe për transparencën e procesit dhe besueshmërinë e rezultatit zgjedhor. Në këtë kuadër, Kryeministri nënvizoi rëndësinë e pranimit të rezultatit nga të gjitha palët."- theksoi Kryeministri.
Në takim u bisedua edhe për çështje të rajonit ku theksi u vu tek marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë dhe zbatimit të saj.
Redaksia Online
(mag/sg/shqiptarja.com)