KQZ: Garantojmë shqiptarët
se do të zbatojmë ligjin

KQZ: Garantojmë shqiptarët<br />se do të zbatojmë ligjin
TIRANË - KQZ ka dalë me një deklaratë zyrtare, ku garanton shqiptarët për gatishmërinë e saj dhe të përfaqësuesit e administratës së saj, për të zbatuar ligjin dhe Kodin Zgjedhor në zgjedhjet e 23 qershorit. "Të gjithë anëtarët e KQZ janë të gatshëm për të zbatuar Kodin Zgjedhor", është theksuar në deklaratën e orës 19:00 sot. "KQZ garanton se do zbatojë me korrektësi të gjitha kërkesat ligjore, duke marrë masa në rastet e nevojshme për të mos cënuar asgjë në lidhje me votën", thuhet më tej.

KQZ: REALIZUAM ME SUKSES SHPËRNDARJEN E MATERIALEVE
"Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në bazë të urdhërimeve dhe afateve kohore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, nëpërmjet gjithë Administratës realizoi me sukses shpërndarjen e materialeve zgjedhore dhe fletët e votimit në 89 Zonat e Administrimit Zgjedhor.

Duhet theksuar se respektimi i këtij afati erdhi si rezultat i planifikimit në kohën e duhur të infrastrukturës së logjistikës zgjedhore dhe të bazuar në një sistem të organizuar dhe jo rastësor, duke garantuar një standart të përmirësuar të përgatitjes dhe administrimit të logjistikës zgjedhore, si  dhe dërgimi i saj në destinacionin e duhur (pranë çdo KZAZ), brenda afatit kohor të parashikuar në Kodin Zgjedhor", thuhej në deklaratë.

KQZ: BASHKËPUNIM POZITIV ME MB DHE MM
"Çdo Komision Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ) dhe Komision i Qendrës së Votimit (KQV) ka në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe materialet zgjedhore të domosdoshme për zbatimin e procedurave dhe përmbushjes së detyrave që, Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, iu ngarkon këtyre komisioneve.
Sigurisht që i gjithë ky proces është kryer falë një bashkëpunimi shumë pozitiv të Ministrisë së Mbrojtjes që vunë në dispozicion mjetet e transportit, si dhe Policinë e Shtetit për shoqërimin e materialeve zgjedhore në të gjitha destinacionet", thuhet në deklaratën e KQZ.

KQZ, APEL KOMISIONERËVE PËR PËRGJEGJSHMËRI DHE PAANËSI
"Nga KZAZ-të, ka filluar organizimi për përgatitjen e dokumentacionit për shpërndarjen e materialeve dhe një pjesë e tyre janë në pritje të listës së komisionerëve të KQV-ve për të filluar edhe procesin e shpërndarjes së Bazës Materiale Zgjedhore, ose e kanë filluar shpërndarjen.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke i uruar të gjithë anëtarëve të Komisioneve të Qendrave të Votimit punë të mbarë në përmbushje të detyrës së tyre ditën e votimit, njëherazi ju bën thirje për përgjegjshmëri, profesionalizëm dhe paanësi.

Pavarësisht se janë të propozuar nga forca të ndryshme politike, përmbushja e detyrës së rëndësishme të anëtarit të KQV është vetëm respektimi me rigorozitet i kërkesave të kuadrit ligjor zgjedhor, dhe kjo duhet të jetë  busulla  e vetme orientuese në çdo veprim, qëndrim, procedurë.

Të njëjtin apel KQZ bën edhe për anëtarët e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor, për anëtarët e Grupeve të Numërimit të votave, për përmbushjen e detyrave të tyre si gjatë ditës së votimit, ashtu edhe në procesin e rëndësishëm të numërimit e deri në tabelimin përfundimtar të rezultateve", thuhet në deklaratën e KQZ.

KQZ GARANTON VOTUESIT PËR ZBATIMIN E LIGJIT
"Të gjithë anëtarët e komisioneve zgjedhore të niveleve të dyta dhe të treta të angazhuar në strukturat zgjedhore, janë tashmë pjesë e administratës zgjedhore, janë  vetëm në shërbim të votuesve shqiptarë, për të  garantuar zbatimin me përpikmëri Kodin Zgjedhor dhe aktet nenligjore të nxjera nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, garanton të gjithë votuesit shqiptarë, se në ndjekjen në dinamikë të procesit, do të zbatojë më korrektësi të gjithë kërkesat ligjore, duke marrë në rast nevoje masat e nevojshme, për të mos lejuar askënd të cënojë mbarëvajtjen e tij, për ti garantuar kështu cdo votuesi ushtrimin e qetë dhe të lirë të së drejtës kushtetuese të votës!", përfundoi deklarata.
 
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Këngëtarja e muzikës popullore, Liri Rasha ndez sallën, me koncertin recital në Lezhë

Këngëtarja e muzikës popullore, Liri Rasha ndez sallën, me koncertin recital në Lezhë