VOTAT E FIERIT DO NUMEROHEN NE FSHAT
Ndërkohë që ndryshimi i vendeve të numërimit të votave përplasi palët. Socialistët paralajmërojnë trazira në Fier, ku sipas tyre prefektët po i caktojnë në mënyrë të parregullt qendrat, ku do të numërohen votat.
Përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genc Gjoncaj tha se vendet e numërimit, në qarkun e dytë më të madh në vend, po vendosen në fshatra ku mungojnë dhe kushtet minimale. Por problemi kryesor sipas tij, qëndron në faktin se VNV-të po caktohen në zona ku historikisht konflikti politik ka degjeneruar deri në përplasje fizike, duke rrezikuar kështu tërë procesin e numërimit.
"Në këto VNV minimalisht mungojnë kushtet minimale të energjisë dhe internetit, por kjo nuk është arsyeja kryesore e kundërshtimit pasi ligji nuk e lejon që VNV-ja të vendoset në fshatra apo komuna. Vendi më i mirë për të realizuar këtë proces, pra edhe numërimin elektronik, është bashkia e Fierit.
Në këtë zonë ku KQZ bazuar në propozimin e limituar dhe antiligjor të prefektit, situata ka pasur përplasje të ashpra politike,madje deri në konflikte fizike. Do të prodhonte të padyshim emocione negative të forta dhe do të ndikonte në ashpërsimin e situatës politike", tha Gjonçaj.
"Shteti është në këmbë. Nuk nisemi ne nga këto motive dhe nuk rrimë të ndajmë Shqipërinë duke thënë se kjo zonë është bastion i kësaj apo asaj partie. Rregullat janë për të gjithë njësoj dhe funksionojnë në të gjithë Shqipërinë"- tha përfaqësuesi i PD, Njazi Kosovrasti.
Vërejtje në mbledhjen e rradhës së KQZ-së, socialistët patën dhe për qendrat e votimit në ambiente private në pronësi militantësh, duke propozuar variante alternative ambiente publike.
Në fund të mbledhjes KQZ nga 133 Qendra Votimi të propozuara për tu vendosur në objekte private, miratoi 126 prej tyre.
KQZ vendosi të kthejë propozimet e krerëve të njësive të qeverisjes vendore për 7 QV për mospërmbushje të kritereve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor. Ndërkaq u kthyen për rishqyrtim propozimet e krerëve të njësive të qeverisjes vendore për 7 Qendra Votimi për mospërmbushje të kritereve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor.
Me 4 vota pro, KQZ akreditoi 33 përkthyes të MVZ OSBE/ODIHR dhe 2 përkthyes dhe vëzhgues afatgjatë të Institutit Demokratik Amerikan, për vëzhgimin e procesit zgjedhor të datës 23 Qershor.
Ndërkaq, KQZ vendosi shtyrjen për në mbledhjen e ardhshme, shqyrtimin e “Raporteve të audituesve mbi verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, për muajin maj 2013”.
KQZ MEMORANDUM BASHKEPUNIMI ME IFES PER SHFAQJEN E REZULTATIT TE ZGJEDHJEVE
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nënshkruar sot Memorandumin e Mirëkuptimit me Fondacionin Ndërkombëtar për Sistemet Elektorale (IFES). Memorandumi u nënshkrua nga Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterije Luzi (Lleshi) dhe përfaqësuesi i IFES, Gavin Weise.
Qëllimi i memorandumit është bashkëpunimi i dyanshëm i IFES dhe KQZ, për zhvillimin e një sistemi të automatizuar i cili do të grumbullojë, transmetojë dhe do të shfaqë rezultatet e zgjedhjeve.
Redaksia Online
(e.s/sg/shqiptarja.com)