Koalicioni Meta-Berisha ankimon vendimin e Ilirjan Celibashit Celibashit që nuk i hoqi mandatin kryetarit të Bashkisë së Kuçovës për mosdeklarimin në formular të një dënimi në Greqi në ’99-ën për kalim kufiri. Juristët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” kërkojnë në KAS që Kreshnik Hajdarit t’i ndërpritet mandati.

Kreshnik Hajdari i është përgjigjur me “JO” pyetjes në formularin e vetëdeklarimit nëse ka qenë i dënuar, por pavarësisht zbulimit të masës qortuese nga Gjykata e Janinës për kalimin e paligjshëm të kufirit, Celibashi vlerësoi se vepra penale e kryer nuk është shkak ligjor për t’i ndërprerë mandatin.

Megjithë këtë vendim të KQZ-së, SPAK ka nisur një hetim për falsifikim të formularit, ku vetë kryebashkiaku tha se nuk kishte njoftim për dënimin nga pala greke kur ishte vetëm 17 vjeç.

Drejtësia greke i përcolli pak ditë më parë ministrisë sonë të Drejtësisë, një vendim që faktonte se kryebashkiakut i Kuçovës, Kreshnik Hajdari është dënuar nga gjykata e Janinës, ndërkohë që në formularin e vetëdeklarimit ka thënë se nuk është i dënuar. Gjykata në Janinë e ka gjetur fajtor Hajdarin për hyrje në territorin grek në mënyrë të paligjshme dhe e ka dënuar në 23 qershor të vitit 1999 me “masë riedukuese të qortimit”, pasi në atë vit, kryebashkiaku i zgjedhur ka qenë vetëm 17 vjeç.

Sipas vendimit të drejtësisë greke, i pandehuri Kreshnik Hajdari, në atë kohë me statusin punëtor, ka qenë i pranishëm në procesin gjyqësor. Kërkesën në KQZ për verifikimin e pastërtisë së figurës së kryetarit të Bashkisë së Kuçovës e dorëzoi në KQZ koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe verifikimet i kreu Prokuroria e Përgjithshme. Ndërkohë, në Shqipëri, Kreshnik Hajdari nuk rezulton të jetë i dënuar dhe as të ketë ndryshuar emrin, sipas shkresave zyrtare nga Gjendja Civile dhe drejtoria e Burgjeve.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë) Ankimimi i BF