KQZ u rrezikon votën 100 mijë
personave me aftësi të kufizuara

KQZ u rrezikon votën 100 mijë<br />personave me aftësi të kufizuara
TIRANE - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që 15 mijë persona të ngujuar ose të fshehur për shkak të fenomenit të gjakmarrjes të mos votojnë. Kjo pasi, KQZ ka marrë vendimin që për këtë kategori të mos ketë kuti votimi të lëvizshme.

“Janë 1221 familje të ngujuara dhe që nëse duan të votojnë duhet ta bëjnë të shoqëruar ose nga një misionar, ose nga policia, ose t’u dërgohet kuti votimi e lëvizshme. KQZ na ka refuzuar kutitë e votimit të lëvizshme.

Po ashtu janë edhe 3800 familje të tjera që janë të fshehura për shkak të gjakmarrjes dhe kanë nevojë për shoqërim. Në total janë rreth 15 mijë votues. Po ashtu në gjykatë janë të regjistruar 127 mijë konflikte për pronën, nga të cilët 30 mijë kërkojnë ta zgjidhin në vetëgjyqësi.

Ata janë larguar nga zonat ku jetonin, por pa u çregjistruar nga gjendja civile. Janë rreth 50 mijë votues që nuk do të votojnë për këtë arsye”, - na thotë Gjin Marku, kreu i Shoqatës së Pajtimit Mbarëkombëtar të Gjaqeve.

TË VERBËRIT

Edhe rreth 10 mijë të verbër rrezikojnë të mos votojnë, ose nëse duan të votojnë duhet që t’ua plotësojë dikush tjetër fletën e votimit. Kjo pasi edhe pse KQZ u kishte premtuar se për zgjedhjet e së dielës do të kishte siguruar 10 mijë shablonët specialë për ta, sërish nuk e ka bërë.

E vetmja zgjidhje e ofruar nga KQZ është që ata t’i drejtohen kutisë së votimit me një shoqërues, duke shpresuar që ai të shënojë me X pikërisht subjektin që i thotë personi që ai po shoqëron.

“Ka pasur një marrëveshje mes KQZ-së, OSBE-së dhe Shqotasës së të Verbërve për t’u trajnuar si të votojmë me shabllone, pse duhet të votojnë, u është folur për kandidatët dhe u është lëxuar edhe fleta e votimit, si është e organizuar, çfarë numri ka secila parti në këtë listë, etj.

Nuk do ketë një bojtkotim të zgjedhjeve nga ana e të verbërve. Ata do shkojnë të votojnë, por me shoqërues. Kjo gjë është e përcaktuar edhe në kodin zgjedhor. Janë gati 10 mijë të verbër që kanë të drejtë vote”, -thotë Armand Nezha, nga zyra e shtypit të të verbërve.

TETRAPLEGJIKËT

Mydbere Prizreni, e shoqatës së para dhe tetraplegjikëve na thotë se ata do të votojnë këtë vit. Sipas saj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në kuadër të një projekti me OSBE-në i ka trajnuar ata dhe i kanë marrë masat që në çdo qendër votimi që ata të paraqiten të kenë mundësinë të votojnë.

“Në shoqatën tonë bëjnë pjesë 5850 individë në të gjithë vendin dhe këtë vit që të gjithë do të kenë mundësinë të votojnë. KQZ së bashku me OSBE, morën përsipër që të na garantojnë mundësinë e votimit. Dhe sot unë mund të them se ky projekt është përmbushur.

Votimi do të zhvillohet në katet e para, të gjitha qendrat e votimit janë pajisur me rampa prej druri, kutitë e votimit do të jenë në lartësinë që të arrihet edhe nga këto persona. Këto mund të mungojnë vetëm në ndonjë zonë shumë të thellë, por janë raste shumë të rralla.

Nga 5850 persona që bëjnë pjesë në shoqatën e tetra dhe paraplegjikëve, rreth 900 personash që nuk lëvizin dot nga krevati, dhe nuk do të kenë mundësi të votojnë. Të tjerët mundësitë i kanë, por nëse do të votojnë apo jo është një zgjedhje e tyre personale”, - na thotë Prizreni.

ATA QË S’DËGJOJNË

Në këtë shoqatë bëjnë pjesë 39 mijë persona. Sipas burimeve nga kjo shoqatë, duket se ata nuk kanë shumë nevoja specifike për t’u krijuar mundësinë që të fitojnë. Kjo pasi ata shikojnë dhe lexojnë, nuk kanë paaftësi në lëvizje, por e vetmja paaftësi e tyre është që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin dot.

“Ne jemi trajnuar nga KQZ dhe nuk kemi probleme për të votuar. Kjo pasi edhe spoti zyrtar i KQZ-së, është i shoqëruar me gjuhën e shenjave, gjë e cila i ndihmon anëtarët e shoqatës sonë se të kuptojnë të gjithë mënyrën se si duhet të votojnë. Ndaj ne nuk kemi asnjë pengesë”, - na thonë drejtuesit e saj.

TË SËMURËT

Edhe të sëmurët janë një kategori të cilët rrezikojnë të mos kenë mundësi të shkojnë pranë kutisë së votimit. Aktualisht janë rreth 1500 të shtruar nëpër spitale, por shtoju këtyre edhe nga një të afërm që i shoqëron, numri i atyre që nuk do të kenë mundësi të votojnë rritet.

Megjithatë, jozyrtarisht mësohet se mjekët kanë marrë udhëzime që të nxjerrin nga spitali ata që janë mirë nga gjendja shëndetësore, te kën mundësinë të shkojnë të votojnë në qendrat e tyre të votimit, dhe nëse kanë nevojë të kthehen sërish. Gjithashtu vetë mjekët e bardha se ju është thënë që të mbajnë në spital vetëm rastet e rënda.
 
KATEGORITË QË RREZIKOJNË TË MOS VOTOJNË
 
Të ngujuar                       15 mijë persona
Invalidët e Punës              61 mijë persona 
Tetra e paraplegjikët         5850 persona
Të verbërit                       10 mijë persona
Shurdh-memecët             39 mijë persona
Të sëmurët                     1500 persona

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës