Platforma e futbollit, OneFootball, i ka publikuar disa statistika krahasuese ndërmjet Lionel Messit dhe Kylian Mbappes një ditë para finales së Kampionatit Botëror.
Superyllli argjentinas të dielën triumfoi në finalen e Kampionatit Botëror përballë yllit në ngritje të Francës duke e fituar trofeun e vetëm që mungonte në sirtarin e tij, atë të Kupës së Botës.
Mirëpo, shtatë herë fituesi i Topit të Artë u desh të priste deri në moshën 35 vjeçare për ta fituar këtë trofe, derisa Mbappe e ka fituar si 18 vjeçar dhe tashmë ka shënuar në finalen e dytë radhazi.
Për më shumë, francezi e tejkaloi Messin edhe për golashënuesin më të mirë të turneut duke realizuar tetë herë derisa argjentinasi e gjeti rrjetën shtatë herë.
Ditën e finales, Mbappe ishte 23 vjeçar (meqë sot, 20 dhjetor, i ka mbushur 24 vjet), kështu OneFootball i ka sjellë disa statistika interesante që paralajmërojnë se ylli i Les Bleus mund t’i prekë sukseset e dyshes së jashtëzakonshme Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo në vitet në vijim.
Në këtë moshë, Messi kishte zhvilluar 269 ndeshje, kurse Mbappe ka luajtur në 303 sosh (duke e përfshirë edhe finalen). Numri total i golave të argjentinasit në atë kohë ishte 108, kurse francezi ka realizuar më shumë se dyfishin, 224 (duke i përfshirë edhe dy golat në finale). Lionel kishte dhuruar 82 asistime, derisa Kylian i ka bërë 111 asistime.
Me Argjentinën deri në moshën 23 vjeçare, Messi kishte bërë 57 paraqitje, kurse Mbappe i ka zhvilluar 64 ndeshje me Francën (duke përfshirë edhe finalen që nuk ndodhet në statistikat e OneFootball). Leo e kishte gjetur rrjetën 17 herë me përfaqësuesen në atë moshë, kurse Kylian e ka bërë dyfish më shumë, 35 herë (duke i numëruar dy golat në finalen e fundit) në ndeshje zyrtare me Les Bleus.