Edhe 17 ditë na ndajnë nga nisja e Euro 2024 në Gjermani dhe trajneri i Kombëtares, Sylvinho, shpalli listën e lojtarëve të grumbulluar. Veç shqiptaro-brazilianit edhe rivalët e stolit në Grupin B, Italia, Spanja dhe Kroacia kanë shpallur listat (disa paraprake) të lojtarëve të grumbulluar.
Jo më kot sipas shortit ky grup për tanët u quajt "Grupi i Ferrit", me Shqipërinë që do përballet me ekipet 'big' të Evropës. Tanimë panorama është thuajse e qartë, ndërsa diferenca mes rivalëve është e madhe.
Lojtarët e grumbulluar nga Sylvinho, në totalin e vlerës sipas "Transfermarkt" kapin shifrën e 107.30 milionë eurove, dukshëm më pak se rivalët. Mosha mesatare e ekipit kuqezi është 27 vjeç, ndërsa mbajmë vendin e 66-të në renditjen botërore të FIFA-s.
Ndërkohë ajo që bie në sy është se Sylvinho nuk ka marrë asnjë lojtar nga kampionati vendas, ndryshe nga Spalletti, de la Fuente apo Dalic. Veçohet vlera 1.01 miliardë euro e Spanjës, ndërsa Italia ka 27 emra nga Serie A.
Për t'u theksuar se deri më 7 qershor 2024, një javë para nisjes së eventit, trajnerët do duhet të dorëzojnë në UEFA listën me 26 emrat final që do marrin me vete në Euro 2024.