Krahu i krimit në listat e votimit

Krahu i krimit në listat e votimit
Çfarë i shkon ndërmend qytetarit kur i afrohet kutive të votimit? Jo se ai/ajo i di detajet e programeve të partive politike në hollësi, apo se ka mbajtur në mend ndonjë projekt ekonomik të partive që e qeverisën Kosovën gjatë legjislaturës së fundit. Tashmë votuesi potencial është i vetëdijshëm, madje edhe dëshmitar i gënjeshtrave elektorale të krahut të krimit.

Kushedi se sa herë duhet të ketë sharë votuesi me mendje të kthjellët kur ka dëgjuar rrenat e PDK-së për 200 mijë vende pune apo të AAK-së për pagën mesatare 1000 euro. Por, me siguri edhe ka pasur rast kur ka qeshur me lot, duke parë ministrin e ambientit, Dardan Gashi, të zhytur deri në fyt në liqenin e ndotur, gjoja për ta pastruar – e zori i tij i vetëm i zhytjes ishte për të marrë ndonjë votë. 

Apo ministrin e Financave, Besim Beqaj, kur flet për politika fiskale kurse mendjen e ka tek stili i flokëve me gel, i bindur se është “bukuroshi” në mesin e panelistëve të debatit. Dukja dhe jo përmbajtja – kjo është parulla e PDK-së në këtë fushatë elektorale.

Votuesi derisa pret në rend për të votuar fillon të kujtojë skandalet, por ka aq shumë sa që ndalet, mjafton t’i përfytyrohen politikanët milionerë me xhipa të zinj, apo edhe fëmijët e tyre kapadai që rrahin policin dhe s’ka ligj për ta.

Papritmas votuesi kujton mbijetesën e tij dhe të familjes së tij, shkollimin e fëmijëve me mund dhe në fund rezultati: diploma të varura në murin e shtëpisë dhe disa të papunë brenda saj. Votuesi ndoshta ngushëllohet kur e kujton se ka edhe plot të tjerë si ai të varfër. Është pjesë e një populli të varfëruar, në mos më i varfri në Evropë, por edhe i frikësuar se për çdo shenjë kryengritjeje do të pasojë hakmarrja nga ana e pushtetit.

Numëron votuesi vitet e pasluftës duke shpresuar për ditë më të mira. Zgjat kokën në dritaren e shkollës ku është duke pritur për të votuar dhe sheh veten në xham, i thinjur, me shenjat e pleqërisë, jo vetëm nga mosha, por edhe skamja dhe mungesa e çdo perspektive.

Pas pak merr në dorë fletëvotimin dhe mes tyre sheh të radhitur “çlirimtarët” e Kosovës - jo krahun e luftës që luftoi njëmend, por krahun e krimit që në emër të luftës u shndërrua në aradhe matrapazësh milionerë.

Votuesi i hedh fletëvotimit një sy dhe kujton se si askush nuk ka guxuar t’i luftojë me mjete ligjore kapadainjtë e krimit që nga mbarimi i luftës. Votuesi e di shumë mirë se shumë prej tyre janë shkatërruesit e Kosovës dhe imazhit të saj në botë. Një grusht matrapazësh që edhe ashtu janë thirrur që nga paslufta në emër të UÇK-së, duke përvetësuar çfarëdo që u ka rënë dorë e në thonj.

Votuesit i dalin përpara emrat e atyre që kanë dëshmuar tashmë se për interesa personale janë të gatshëm të bëjë çfarëdo kompromisesh dhe çfarëdo negociatash që nuk i sjellin kurrë paqe vendit e që nuk i japin mundësi Kosovës të shtrijë sovranitetin në tërë territorin e saj. 

Votuesi më 8 qershor nuk duhet t’ua japë votën politikanëve të papërgjegjshëm dhe tinëzarë. Vetëm përfytyrimi se ky rrjet edhe katër vjet mund të qeverisë Kosovën do të duhej t’i mobilizonte qytetarët e këtij vendi që kjo të bëhet e pamundshme.

Menaxherë të arkës së shtetit duhet të jenë politikanë të tjerë, të cilët garantojnë investime e reforma aty ku është më se e domosdoshme: në shëndetësi, në arsim, në ekonomi dhe jo ata që zgjedhin dikaster ku është më e lehtë zhvatja. Tani eksponentë të këtij pushteti, pasi kanë bërë sefa, bëjnë “selfie”: e fotografojnë veten, por Kosovës i duhet një fotografi e madhe për ta parë se çfarë rënie ekonomike kemi pësuar si shoqëri dhe në çfarë humnere të varfërisë e ka hedhur këtë vend Hashim Thaçi.

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm (EMRAT)