Ish-kryeparlamentari i Kosovës, deputeti Jakup Krasniqi, pas ndalimit të 40 të dyshuarve për ekstremizëm e terrorizëm, në një shkrim autorial sot shtron pyetjen: Arrestimet a janë të mjaftueshme?

"Arrestimet, ndonëse të domosdoshme, nuk janë zgjidhja e duhur dhe afatgjate! Edukimi dhe arsimi i fëmijëve tanë me shqiptarizmin, me dijet shkencore për jetën është zgjidhja. Çështja është, sa janë të edukuar me dije shkencore njerëzit e arsimit të cilëve kombi ua ka besuar fëmijët e tyre, të ardhmen e kombit?!", shkruan Krasniqi.

"Ky arrestim i këtyre përmasave shtron nevojën e një reformimi të thellë në Bashkësinë Islame të Kosovës dhe në Arsimin e Kosovës në të gjitha nivelet e tij".

Ky është përfundimi që nxjerr Krasniqi, pasi në shkrimin autorial mes tjerash përkujton se, "shenjat e depërtimit të një fundamentalizmi janë parë që në vitet e para të pas luftës çlirimtare. Depërtimet e para janë bërë në emër të një humanizmi i cili 'humanizëm' ka shfrytëzuar gjendjen e rendë ekonomike. Një ndihmesë këtyre organizatave, në jo pak raste ua kanë bërë edhe disa hoxhallarë, të cilët xhamitë ku ata kanë qenë imam, u kanë dhënë hapësirë veprimi për një 'islam' tjetër nga ai tradicionali".

Në shkrimin autorial të dërguar, Krasniqi është shprehur edhe se fenomenin fundamentalist islamist shqiptarët e kanë lënë prapa së paku para dy shekujve, atëherë kur ishin bindur se vetëm arsimi shqip, pra shqiptarizmi ishte zgjidhja që ia vlente çdo sakrificë, se çdo sakrifikim tjetër ishte "mish për top"./ATSH/