PRISHTINË- Pas deklaratave të tre ish-agjentëve shqiptarë të Kosovës në shërbimet sekrete serbe e jugosllave, se në qeverinë dhe institucionet e Kosovës ka ende spiunë, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, sot, në seancën e Kuvendit të Kosovës, është shfaqur i shqetësuar.

Ai ka kërkuar që spiunët e Serbisë në institucionet e Kosovës të zbulohen.
 
Deklaratat e tre ish-agjentëve shqiptarë të Kosovës në shërbimet sekrete serb e jugosllave, ose ekspertë të kësaj fushe, janë dhënë disa ditë më parë në KTV. 

Ata, kanë thënë se në institucionet e Kosovës, në Qeveri, Parlament, Universitet etj., ka ende spiunë aktivë të Serbisë.

Krasniqi tha se “me këto deklarime, si dhe me ata që i thanë ato, duhet të merren organet përkatëse të vendit”.

Krasniqi po ashtu kërkoi ndihmë nga ish-agjentë ose ekspertë spiunimi, që të zbulohet se kush nga institucionet e Kosovës spiunon ende për Serbinë.

Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)