Kredia për shtëpi shënoi rekord të ri vitin e kaluar, por rritja u ngadalësua ndjeshëm krahasuar me 2021

Kredia për shtëpi shënoi rekord të ri vitin e kaluar, por rritja u ngadalësua ndjeshëm krahasuar me 2021

Foto ilustruese

Kredia për blerjen e banesave shënoi një rekord të ri historik vitin e kaluar, por ritmet e rritjes u ngadalësuan ndjeshëm krahasuar me vitin 2021. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia e re për blerje banesash arriti në 46 miliardë lekë ose rreth 396 milionë euro. Kredia e re për banesa u rrit me 16% krahasuar me vitin 2021.

Megjithëse rritja vjetore rezultoi sërish e lartë, ajo u reduktua ndjeshëm krahasuar me rritjen rekord prej 50% që ishte regjistruar në vitin 2021. Vlera e portofolit aktiv ose tepricës së kredisë për shtëpi në fund të vitit 2022 arriti në pothuajse 167 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 14%.

Pas muajit korrik të vitit të kaluar, kredia e re për shtëpi pësoi një ngadalësim të ndjeshëm, duke reflektuar sidomos kthesën e politikës monetare dhe rritjen e normave të interesit. Banka e Shqipërisë e rrit vitin e kaluar pesë herë normën bazë të interesit, duke e çuar nga niveli 0.5% në 2.75%.

Kjo rritje u reflektua në edhe në shtrenjtimin e kredive, duke përfshirë ato hipotekare. Rritja e normave të interesit ka pasur një ndikim të ndjeshëm sit e kërkesa për kredi, ashtu edhe te oferta e sektorit bankar.

Sipas Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues, kryer nga Banka e Shqipërisë, bankat, sidomos në gjysmën e dytë të vitit 2022, shtrënguan ndjeshëm standardet e kreditimit për individët, duke përfshirë edhe produktin kryesor, kredinë për shtëpi. Ndërkohë, edhe kërkesa e individëve për kredi u perceptua më e ulët në tremujorin e fundit 2022, sidomos në kreditë për blerjen e banesave.

Kredia për shtëpi është produkti që ka udhëhequr rimëkëmbjen e kreditimit të ekonomisë në vitet e fundit.

Oferta e bankave për këtë produkt ka qenë mjaft e lartë, sepse kredia për shtëpi është një produkt që mundëson rritje të qëndrueshme të portofolit të kredisë, për shkak të afateve të gjata të maturimit, por edhe një shpërndarje të mirë të rrezikut, duke ulur përqendrimin e lartë tek kreditë e mëdha në sektorin e biznesit.

Normat e ulëta historike të interesit e kanë bërë kredinë për shtëpi tërheqëse për huamarrësit, ndërsa paralelisht cikli i rritjes së çmimeve të pasurive të paluajtshme në vitet e fundit ka rritur edhe kërkesën për kredi për shtëpi nga familjet, duke shtuar perceptimin se blerja e një prone është një investim i mirë për të ardhmen.

Sipas Bankës së Shqipërisë, indeksi i çmimit të banesave u rrit me 39% në mesin e vitit 2022 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vrojtimet kanë treguar se të paktën një e treta e transaksioneve në tregun e pronave financohen me kredi bankare.

Rritja e çmimeve ka ndikuar në vlera më të mëdha të kredive të marra nga individët për të blerë banesa, duke kontribuar ndjeshëm edhe në rritjen e volumeve të përgjithshme të këtij produkti. Por, tashmë normat e interesit po rriten dhe oferta për kredi po shtrëngohet.

Një dinamikë e tillë pritet të ketë efektet e veta edhe në tregun e pasurive të paluajtshme, duke ndikuar në uljen e kërkesës dhe në frenimin e rritjes së shpejtë të çmimeve./Monitor

Burimi: Banka e Shqipërisë

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Pesë pyetje për 2025-ën

Pesë pyetje për 2025-ën