Shkalla e kredive me probleme ka qëndruar në kufijtë e 20% edhe gjatë muajit Tetor. Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, niveli i kredive me probleme në Tetor ishte 20.4%, nga vlera 20.6% që ishte raportuar në fund të muajit Shtator. Në kushtet kur kreditimi vijon të jetë i dobët, rënia e raportit të kredive me probleme besohet të jetë kryesisht efekt i pakësimit të stokut të kredive të këqija, falë rikthimit ose fshirjes së tyre. Stoku i kredive me probleme në fund të tetorit ishte rreth 119.2 miliardë lekë, nga 120 miliardë lekë që pati qenë në fund të Shtatorit.