Jorida Tabaku akuzoi sot ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, dhe drejtorin e Policisë së Shtetit, Skënder Hita, se kanë refuzuar kërkesat për dëgjesë në Komisionin e të Drejtave të Njeriut dhe Medias lidhur me veprimet e policisë në protestat kundër qeverisë. Sipas saj, kërkesa për Demon është depozituar prej mbi një muaji, ndërsa Hitajt i janë kërkuar shpjegime për këto veprime.
Përmes një deklarate për mediat, deputetja e PD-së kërkoi sqarime për mbi 1 000 persona që sipas saj janë shoqëruar, mes tyre siç tha ajo, 250 të mitur, si dhe për përdorimin e gazit, plumbave të gomës dhe mbi 60 incidente të raportuara mes policisë dhe gazetarëve. “Mirëpo ata kanë zgjedhur të heshtin!”, tha ajo.
Tabaku akuzoi gjithashtu deputetët socialistë se kanë bllokuar përcjelljen e kërkesës për dëgjesë me drejtuesen e AMA-s, institucion të cilin e akuzon për anësi në gjobitjen e mediave që u japin hapësirë zërave opozitarë.
Tabaku tha se këto shqetësime i ka ngritur edhe para eurodeputetëve në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian (AFET), duke kërkuar më shumë transparencë dhe kontroll parlamentar.
“Një demokraci nuk mund të jetë institucionale nëse nuk ka transparencë dhe kontroll”, deklaroi ajo.








Komente
Komento