Në mes të vitit të kaluar, ministria shqiptare e Financave i kërkoi hua Bankës Botërore për të importuar energji dhe për të  “sistemuar” disi problemet me CEZ-in. Qeveria Berisha kërkoi atëhere 100 milionë USD kredi për të ndihmuar KESH-in të realizonte objektivat e CEZ-it.

“Është e vërtetë se qeveria shqiptare ka aplikuar për të marrë kredi, por Banka ende nuk ka vendosur, pasi, siç e kemi deklaruar më parë, duhen respektuar disa kushte që lidhen me stabilitetin financiar të vendit, deficitin buxhetor dhe objektivin se çfarë synohet me këto para”, thanë atëhere për median burime zyrtare të Bankës.

BB theksoi që në vitin 2011 se për Shqipërinë, ashtu si në raste të mëparshme me vende të tjera, ishte bërë gati për t’u vënë në dispozicion një shumë nga 200 deri në 300 milionë dollarë, në kuadër të masave antikrizë, por kjo shifër do të livrohej vetëm nga aftësia bindëse e palës shqiptare se çfarë do të bënte me paratë e dhëna hua.

Me sa duket qeveria Berisha nuk e bindi BB se përdorimi i kredisë së butë 200-300 milionë USD në prag të zgjedhjeve parlamentare nuk do të përdorej si më parë, kryesisht për qëllime politike, elektorale apo për të “mbyllur gropa” jo në favor të rregullimit të ekuilibrave makroekonomikë.Përfundimisht, nisur nga kjo bindje, nunk u disbursua asnjë qindarkë.

Shkrimi u publikua sot (18.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)