VIDEO/ Kremtohen Pashkët Ortodokse! Ora policore zhvendos meshën në mëngjes, besimtarët rikthehen në Kisha! Janullatos: Shëndet! Festë në qytete

TIRANË- Besimtarët ortodoksë në të gjithë Shqipërinë kremtojnë sot ngjalljen e Jezu Krishtit në meshën e Pashkëve. Mesha do duhej të mbahej në mesnatë, por për shkak të COVID-19 dhe orës policore ajo u zhvillua në mëngjes ku besimtarët do të marrin dritën e shpresës që nuk perëndon kurrë në ambientet e brendshme të Kishës. Kryepeshkopi Anastas Janullatos në mesazhin e tij të shkurtër në meshën e pashkëve, ka uruar të gjithë besimtarët, teksa kryefjalë ka qenë urimi për sa më shumë shëndet, që merr më tepër rëndësi pasi vjen në një vit pandemik, ku mijëra qytetarë kanë humbur jetën si pasojë e COVID.  “Gjithmonë me shëndet, falje dhe gëzime ngjarjes brenda nesh”, tha Janullatos.

Ndërkohë, këto Pashkë, ndryshe nga viti i kaluar, janë rikthyer në Kisha një pjesë e konsiderueshme e besimtarëve duke ruajtur distancimin sociale, e ndërsa pjesa tjetër i kanë ndjekur ritet nga televizori duke i kryer ata në shtëpitë e tyre. Solidariteti, dhembshuria dhe dashuria për familjen dhe njëri-tjetrin është ajo që  na mëson kjo 'luftë' me koronavirusin dhe mesazhi që na sjellin Pashkët.

Festa e Pashkëve Ortodokse shoqërohet me vezën e kuqe, bukën e ëmbël, flakën e shenjtë dhe mishin e qengjit. Vezët janë simbol i jetës, ndërsa ngjyra e kuqe simbolizon sakrificën e Jezu Krishtit, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën dhe në rastin konkret, sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës. Pjesë tjetër e traditës së Pashkës Ortodokse është buka e pashkës, ku vendoset veza e kuqe në mes, e cila duke qenë e ëmbël shpreh kuptimin e ëmbëlsisë dhe lumturisë të cilat i përmbajnë fjalët e Zotit dhe lutjet e besimtarëve. Zakonisht në traditën ortodokse vezët ngjyrosen ditën e enjte para Pashkëve dhe konsumohen ditën e diel ose në ditët në vazhdim.

*Shqiptarja.com dhe Report Tv urojnë të gjithë besimtarët “Gëzuar Pashkët”, sa më shumë shëndet dhe dashuri.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:15
Festohen pashkët ortodokse në Gjirokastër, urojnë qytetarët: Gëzuar për të gjithë popullin shqiptar

Edhe në Gjirokastër besimtarët e ortodoksë kanë festuar Pashkët. Teksa kanë marrë pjesë në meshë, besimtarët kanë uruar të gjithë shqiptarët për këtë ditë.

'Krishti u ngjall. Uroj dashuri bashkim dhe punë.' uroi një qytetar.

'Ngjallja e Krishtit simbolizon shpresën që ne ekzistojmë dhe jetojmë! Gëzuar të gjithëve!'- urojnë qytetarët.

'Gëzuar pashkët dhe pa këto viruset që ekzistojnë.'- tha një qytetare.

'Uroj të gjithë besimtarët  të gëzojnë këtë ditë, për të gjithë shqiptarët paqe harmoni dhe lumtur. Gëzuar për të gjithë popullin shqiptar!'- u shprehën disa të tjerë.

Ora 10:43
Besimtarët ortodoksë kremtojnë Pashkët në Lushnje, urojnë qytetarët: Për shumë vjet mbarësi paçin shqiptarët (VIDEO)

Besimtarët ortodoksë në Lushnje dhe Myzeqe kanë respektuar masat anti-COVID dhe kanë festuar Pashkën këtë mëngjes.

Meshat janë mbajtur këtë mëngjes dhe janë ndjekur nga një numër i kufizuar besimtarësh. Në kishën e Shën Kollit në Krutje një nga më të vjetrat në Lushnje që daton që nga viti 1400. Besimtarët kanë ndjekur meshën nga At Ilia Goga i cili uroi besimtarët në këtë ditë.

'Në radhë të parë krishti u ngjal. uroj të gjithë besimtarët gëzuar dhe nga mot gëzuar. ky është një urim që u japim të gjithëve. Kremtimi u bë në mëngjes herët, me orarin policor. Besimtarët ishin të pranishëm të kufizuar!'- tha at Ilia.

'Gëzuar Pashkët të gjithë shqiptarëve. Sa më mbarë një vit i lumtur për të gjithë'- tha një qytetar.

'Të gjithë besimtarët të shkojnë të ndezin nga një qiri për të gjithë të vdekurit dhe të besojnë në ringjalljen e Krishtit.'- tha një qytetar tjetër.

'Gëzuar dhe për shumë vjet mbarësi paçin!'- u shpreh një qytetare.

Ora 10:28
Pashkët në Vlorë, ortodoksët urojnë: Sot i lutemi perëndisë të na bashkojë të gjithëve pa dallim feje, ta dashurojmë njeri-tjetrin (VIDEO)

Besimtaret ortodokse festuan pashkët ne kishën Shën Theodhori në Vlorë.

Për shkak te pandemisë, mesha e shenjte u mbajt mëngjesin e sotëm dhe jo në mesnatë, ndryshe nga vitet e tjera e megjithatë ritet e Pashkës së Madhe u kryen sipas rregullave anti-COVID.

Pashka simbolizon ngjalljen e Jezu Krishtit. Ajo është dita me e rëndësishme ne kalendarin fetar ortodoks dhe mesazhi i kësaj dite te madhe tregon fitoren e jetës mbi vdekjen e dritës mbi errësirën, e dashurisë mbi urrejtjen.

Besimtarët në një ditë kaq të rëndësishme për ortodoksin, shprehin urimet e tyre.

“Ta gëzojmë Pashkën, jemi të gëzuar me zemër e shpirt, ortodoksia është fe shumë e bukur, në gjirin e saj pranon njerëz të varfër dhe të pasur. Nuk me pengon virusin të festojë Pashkën. Paqe ta dashurojmë dhe ta duamë njeri-tjetrin. Mos ta urrejmë njeri tjetrin se jemi shqiptarë, pa dallim feje”, shprehet një qytetar.

“Sot i lutemi perëndisë që të na bëjë bashkimin e të gjithëve pa dallim feje, dhe të na ruaj perëndia të na ruaj nga kjo sëmundje, COVID-19”, shprehet një besimtar.

Ora 10:25
Pashkët ortodokse, Kryepeshkopi Janullatos: Gjithmonë me shëndet (VIDEO)

Kryepeshkopi Anastas Janullatos në mesazhin e tij të shkurtër në meshën e pashkëve, ka uruar të gjithë besimtarët, teksa kryefjalë ka qenë urimi për sa më shumë shëndet, që merr më tepër rëndësi pasi vjen në një vit pandemik, ku mijëra qytetarë kanë humbur jetën si pasojë e COVID.

“Gjithmonë me shëndet, falje dhe gëzime ngjarjes brenda nesh”, tha Janullatos.

 

Ora 09:55
Besimtarët në Berat kremtojnë Pashkët ortodokse: Është fitorja e jetës mbi vdekjen dhe e dritës mbi errësirën (VIDEO)

Besimtarët ortodoks kremtojnë sot ngjalljen e Jezu Krishtit në meshën e Pashkëve. Mesha në Berat u mbaj në Katedralen e “Shën Dhimitrit”, teksa kanë qenë të shumtë besimtarët që kryen ritet fetare, e nuk nguruar edhe të përcjellin urimet e tyre.

“Uroj paqe dhe paqe”.

“Gëzuar për shumë vjet të gëzuar dhe të bashkuar”.

“Dita më e madhe e Krishtërimit. Është dita e ngjalljes së Zotit tonë Jezu Krisht, është fitorja e jetës mbi vdekjen dhe e dritës mbi errësirën”, shprehen qytetarët.

Ora 09:54
Pashkët ortodokse në Fier/ Besimtarët përçojnë urimet e tyre: Sot një ditë e shënuar (VIDEO)

Në orën 07:00 të mëngjesit të sotëm, qindra besimtarë ortodoks kanë ndjekur meshën e ngjalljes së Krishtit në kishën e Shën Gjergjit. Metropoliti At Nikolla ka mbajtur meshën që i dedikohet ringjalljes së Krishtit.

Qindra besimtarë janë afruar dhe kanë marrë flaken e shenjtë që simbolizon dritën dhe që sipas traditës çdo besimtarë e merr atë në çdo familje për të ndriçuar rrugën drejt jetës dhe mirësisë. Besimtarët për mikrofonin e Report Tv kanë përçuar urimet e tyre.

“Pak më mirë sivjet, gëzuar për shumë vjet”.

"Sot një ditë e shënuar, jo vetëm për Ortodoksët, por për të gjithë. Sjellshin Paqe dhe lumturi. Këtë urim, ua përcjellë shqiptarëve. Më shumë besimtarë në Kisha? Unë kam mendimin se secili ka mënyrën e vet të besuarit, këtu nuk bëhet fjalë për mendimin klasik, por duket pasur besim te Zoti udhëhiqet për ide të mira. Për ushqim kemi mishin e qengjit, vezët, që i shpërndajmë te të afërmit tanë”, shprehen qytetarët.

Ora 08:02
Tirana në atmosferë Pashkësh, vezët gjigante shumëngjyrëshe në sheshin 'Skënderbej' (FOTO)

Sheshi “Skënderbej” në Tiranë është përfshirë në atmosferën e Pashkëve me vezët gjigante shumëngjyrëshe të vendosura, ku qytetarët nuk kanë nguruar që të bëjnë foto. Vezët, një ndër simbolet e festës së Pashkëve janë vendosur në shesh një formë gjigante me ngjyra pranverore. Kulturat e lashta i shihnin vezët si simbol i jetës, ndërsa vende të ndryshme si Egjipti, Persi, Greqi, Roma i hanin vezët e lyera me bojë. Kujtojmë se vezët e lyera me të kuqe simbolizojnë gjakun e Krishtit dhe kujtesën e tij.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 03/05/2021 01:38

    Gezuar Pashket ! Por kam nje verejtje:po shoh nga fotot qe kungimi po jepet me luge.Si ka mundesi qe eshte bere nje veprim i tille ne koherat e Covidit?! Nje luge qe shkon ne cdo goje?! Do te ishte me mire qe prifterinjte t'a jepnin kungimin ne goteza te vogla me nje perdorim.E pa besueshme qe vepruan keshtu duke rrezikuar jeten e qindra njerezve me nje infektim te mundshem!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Ergys Mërtiri: Çna tregoi Altin Dumani?

Ergys Mërtiri: Çna tregoi Altin Dumani?